Baza ajrore britanike RAF Akrotiri në Qipro është goditur nga një dron, raportoi Cyprus Mail. Sipas informacioneve, një “dron i vogël” ka rënë në aeroport pak para mesnatës lokale (23:00 me orën shqiptare), duke shkaktuar dëmtime të lehta, por pa viktima. Personelit ushtarak iu kërkua të qëndronte në pozicion dhe të priste udhëzime të mëtejshme, mes frikës për një goditje të dytë, ndërsa shpërthime dhe sirena u dëgjuan edhe në qytetin e afërt, Limassol. Dyshohet se droni mund të ketë qenë i tipit Shahed 136, model i përdorur edhe në konfliktin në Ukrainë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi më herët se dy raketa ishin drejtuar drejt Qipros, por sipas tij nuk besohet se kishin në shënjestër vetë ishullin. Ai theksoi se incidenti tregon për një kërcënim real dhe në rritje në rajon. Si masë paraprake, qeveria britanike ka nisur evakuimin e familjarëve të personelit të stacionuar në bazë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se operacionet ushtarake vijojnë normalisht. RAF Akrotiri ndodhet në Zonat e Bazës Sovrane britanike të Akrotirit dhe Dhekelias, territor sovran i Mbretërisë së Bashkuar në Qipro.
Në këtë klimë tensioni, Greqia ka vendosur të forcojë mbrojtjen e Qipros duke dërguar dy anije luftarake dhe një palë avionë luftarakë F-16. Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, tha se vendimi u mor pas konsultimeve mes kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit qipriot Nikos Christodoulides. Fregata HS Kimon dhe një fregatë e dytë e pajisur me sistemin kundër-dron “Centaur” janë nisur drejt ujërave pranë Qipros, ndërsa dy F-16 janë ridislokuar për mbikëqyrje dhe mbrojtje ajrore, në një përpjekje për të rritur sigurinë mes përshkallëzimit të krizës në Lindjen e Mesme.