Policia në Laç ka ndërmarrë një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë pelegrinazhit në Kisha e Shna Ndout, i cili ka nisur më 17 mars dhe do të zhvillohet çdo të martë për 13 javë rresht.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e Policia e Shtetit në qarqet Lezhë dhe Kurbin kanë hartuar një plan të detajuar që synon parandalimin e ngjarjeve kriminale, menaxhimin e fluksit të lartë të pelegrinëve, si dhe shmangien e aksidenteve rrugore.
Në kuadër të këtyre masave, shërbimet e Policisë Rrugore janë dislokuar përgjatë aksit “Autostradë–Laç”, deri në zonën e kishës, me qëllim orientimin e qarkullimit dhe shmangien e bllokimeve. Po ashtu, prezencë e shtuar policore është vendosur në nyjet kryesore të qarkullimit, përfshirë zonën e Patok, pranë Gjykatës së Laçit dhe në afërsi të varrezave të qytetit.
Autoritetet bëjnë të ditur se forcat e policisë janë vendosur gjithashtu në hyrje-daljet e vendparkimeve rreth kishës, si dhe në segmentin malor të rrugës, ku pritet fluks më i lartë dhe rrezik për trafik të rënduar.
Në terren janë angazhuar patrulla të Rendit Publik, Policisë Rrugore dhe Policisë Kriminale, me qëllim garantimin e sigurisë së besimtarëve dhe parandalimin e çdo incidenti të mundshëm gjatë zhvillimit të pelegrinazhit.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë udhëzimet e uniformave blu, në mënyrë që aktiviteti fetar të zhvillohet i qetë dhe pa probleme.