Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac, në Podujevë, ku dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar, e dyshuara Ardita Gashi, 31 vjeçe, dyshohet se fillimisht ka vrarë me armë zjarri Ilaz Brahimin, 45 vjeç nga Obiliqi, dhe më pas ka plagosur rëndë gruan e xhaxhait të saj, 73-vjeçaren Miradije Gashi. Në përfundim të ngjarjes, ajo dyshohet se ka qëlluar edhe veten me armë zjarri. Raportohet se gjendja e saj shëndetësore është e rëndë dhe ndodhet nën kujdes mjekësor.
Ngjarja është raportuar rreth orës 18:40 të së dielës, më 22 mars 2026, kur njësitet policore janë njoftuar për një person pa shenja jete brenda një veture në fshatin Majac. Në vendngjarje është gjetur një veturë e bardhë e markës VW me targa lokale, brenda së cilës ndodhej viktima mashkull, i identifikuar më vonë si Ilaz Brahimi.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se një person i armatosur ndodhej brenda një shtëpie në zonë, duke refuzuar komunikimin me autoritetet dhe duke paraqitur rrezik për veten dhe për persona të tjerë. Në vendngjarje kanë ndërhyrë Njësia Speciale Intervenuese dhe negociatorët, të cilët pas ndërhyrjes kanë arritur të futen në banesë, ku kanë gjetur dy gra të plagosura rëndë. Ato janë transportuar menjëherë për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sot, rreth orës 03:35, 73-vjeçarja Miradije Gashi nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në QKUK, duke e çuar në dy numrin e viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Sipas deklarimeve të familjarëve, pas vrasjes së 45-vjeçarit, e dyshuara ka hyrë në shtëpinë e viktimës 73-vjeçare, ku dyshohet se e ka marrë atë peng. Në momentin kur e moshuara mbahej brenda në banesë, aty ndodhej edhe reja e saj bashkë me fëmijët. Sipas familjarëve, reja ka mbetur e plagosur dhe aktualisht ndodhet në gjendje shoku.
Policia ka ricilësuar rastin si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes po vijojnë nën drejtimin e prokurorit kompetent.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja, si dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.