Ish-banorja e “Big Brother VIP 3”, Dea Vieri, ka ndarë disa opinione të forta dhe pa doreza lidhur me vajzat shqiptare dhe sinqeritetin e tyre në marrëdhëniet në çift.
E ftuar në emisionin “Live From Tirana” përballë moderatorit Ronaldo Sharka, ajo u pyet drejtpërdrejt nëse vajzat gënjejnë kur i thonë një mashkulli se ai është “i pari” për to.
Dea e konfirmoi këtë pa asnjë hezitim me një “normale që po”, duke shtuar se mentaliteti ka bërë që shumë prej tyre të shkojnë deri në ndërhyrje për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme.
Biseda mori një rrjedhë edhe më personale kur ajo vendosi të përmendë emra konkretë nga aktualiteti i reality show-ve, duke thumbuar ashpër Brikenën.
Duke e lidhur këtë fenomen me vajzat që duan të duken si të përsosura në sytë e publikut, Dea u shpreh hapur: “Po ne kemi ende vajza që shkojnë e qepen. Kemi edhe vajza që shtiren sikur janë virgjëresha, më kujtohet pak edhe Brikena”.
Sipas saj, deklaratat e vazhdueshme të Brikenës, e cila shprehet se është një vajzë tradicionale që nuk del, qëndron në shtëpi dhe dëshiron të jetojë me vjehrrën, janë thjesht një fasadë e shtirur.
Për ta përforcuar qëndrimin e saj, ish-banorja theksoi se kushdo që flet për veten me superlativa të tilla, shpesh është duke fshehur të vërtetën pas një imazhi të rremë.
“Se më duken gënjeshtra të gjitha ato thotë ‘unë nuk dal, unë nuk bëj, unë rri në shtëpi, dua të jetoj me vjehrrën, nuk bëj ashtu, nuk bëj kështu’. Të gjithë ata që flasin për veten, se është një lloj ‘superlative’, për ta ngritur veten e vet lart, mendoj se janë gënjeshtra,” shpjegoi ajo.
Në mbyllje të argumentit të saj, Dea nuk i kurseu akuzat e drejtpërdrejta duke vulosur: “Emrin e një vajze që gënjen mund ta them, Brikena gënjen për shumë deklarata që bën për veten e vet dhe për ato që pretendon se është”.