Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur në lidhje me synimin e tij për kandidimin në Bashkinë e Tiranës.
I ftuar në Top Story, Braçe u shpreh se nuk ka marrë dhe nuk do të marrë leje për qëndrimet e tij, duke i cilësuar ato si të drejta dhe të bazuara në bindje të qarta. Sipas tij Rama e ka pranuar këtë fakt.
Sipas Braçes, janë dy arsye kryesore që e kanë shtyrë drejt këtij qëndrimi, nevoja që partia të ketë një formë reale vendimmarrjeje dhe shmangia e kthimit të saj në një strukturë formale pa debat.
“Unë kam bërë veten time dhe kam bërë atë që kam menduar shumë qartë. Po e dëgjoj ka marrë leje apo jo? Jo nuk kam marrë leje askund. Kanë qenë qëndrime shumë të qarta ideologjike. Aspekti social ka qenë po kaq i rëndësishëm që duhet të ketë vija ndarëse.
Mua nuk më pëlqen ky term, senator i PS-së. Unë jam thjesht deputet i PS-së, u bënë shumë vite. Për pak javë bëhen 30, por i zgjedhur jo i emëruar. Unë mendoj që Rama e ka pranuar, as nuk kam marrë leje dhe as nuk do të marr leje për ato që kam thënë. Ato që kam thënë kanë qenë të drejta, të vërteta.
Ka pasur edhe të tjerë brenda PS-së që kanë thënë gjëra të drejta ose të vërteta, të lidhura me njerëzit dhe interesat e tyre.
Gjëja nuk ka nisur në media, apo ambiente të tjera, ka nisur në Asamblenë e PS-së, në njësinë 5, nën përgjegjësinë time. Në atë Asamble jam munduar të ushqej njerëzit të flasin, jo të flas unë dhe ata të dëgjojnë. Kam lëvizur gjatë janë në mbledhjet e asamblesë së PS-së në Tiranë, më vjen keq që nuk gjej të njëjtën mënyrë ose ndjesi për të folur, por në njësinë 5 ishte një sallë e tërë që ngriti shqetësimin.
Atje kam thënë shumë qartë, që janë dy arsye që më shtyjnë ta bëj këtë. Partia duhet të zgjedhë një formë vendimmarrjesh. Partia nuk mund të kthehet në një mur ku ngjiten njoftime. Partia nuk mund të funksionojë kështu sepse mund të vijë një ditë kur në atë mur të varet një njoftim tjetër, ajo e fundit të partisë. Unë nuk e dua këtë”, u shpreh Braçe.