Një video që tregon momentin kur një dron me kamera termike zbulon një vajzë të humbur në mes të pyllit është bërë virale në rrjetet sociale, duke emocionuar miliona njerëz.

Pamjet tregojnë çastin kur operatorët e dronit arrijnë të lokalizojnë vajzën të shtrirë në tokë, e mbledhur kruspull dhe në gjumë, mes errësirës së pyllit. Pak minuta më vonë, ekipet e kërkimit mbërrijnë pranë saj dhe e zgjojnë, ndërsa fatmirësisht ajo rezulton pa dëmtime serioze.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2024 në Louisiana të SHBA-së, ku 10-vjeçarja Peyton Saintignan ishte raportuar e humbur pasi kishte dalë nga shtëpia gjatë natës në gjendje somnambulizmi.

Familjarët, policia lokale, qindra vullnetarë dhe operatorë dronësh u angazhuan në kërkime intensive në zonën pyjore pranë banesës së saj.

Një prej operatorëve, Josh Klober, udhëtoi dhjetëra kilometra për të ndihmuar në operacion me një dron të pajisur me kamera termike.

Pas orësh kërkimesh, droni arriti të dallonte vajzën rreth 2.5 kilometra larg shtëpisë së saj. Ajo ishte e veshur me pizhamet ngjyrë vjollcë dhe të bardhë dhe kishte humbur njërën këpucë.

Autoritetet thanë se Peyton kishte vetëm disa pickime mushkonjash dhe ishte në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa rikthimi i saj pranë familjes u konsiderua një mrekulli.

Videoja po shpërndahet masivisht në rrjet, me shumë njerëz që po e cilësojnë si një shembull të jashtëzakonshëm se si teknologjia mund të shpëtojë jetë.