Një ngjarje alarmante është denoncuar në Kamëz, ku një fëmijë vetëm 2 vjeç ka rënë në një kanal të hapur të ujërave të zeza, fare pranë zyrave të Bashkisë Kamëz.

Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, ndërsa ajo që ka revoltuar më shumë qytetarët është fakti se zona vijon të mbetet e pasiguruar, megjithëse aty kalojnë çdo ditë banorë, familje dhe fëmijë të vegjël.

Kanali ndodhet vetëm pak metra larg Bashkisë së drejtuar nga Rakip Suli, ndërsa mungojnë barrierat mbrojtëse apo çdo masë minimale sigurie që do të pengonte aksesin e fëmijëve pranë kanalit.

Fatmirësisht i mituri ka shpëtuar, por banorët shprehen të tronditur dhe ngrenë pyetjen: çfarë do të ndodhte nëse kjo ngjarje do të përfundonte në tragjedi?

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia Kamëz për vendosjen e masave mbrojtëse dhe sigurimin e zonës, në mënyrë që fëmijët të mos kenë mundësi të afrohen apo të rrezikohen pranë kanalit.