Big Brother VIP Albania ish-banorja Xhodi ka ndarë një nga episodet më prekëse të jetës së saj gjatë një interviste në emisionin Se Luan Topi. Ajo tregoi se periudha më e vështirë për të ishte koha kur babai i saj po përballej me probleme serioze shëndetësore. Mes shpresës dhe besimit, Xhodi tha se kishte udhëtuar drejt Kisha e Laçit për t’u lutur për shërimin e të atit, duke marrë me vete ujë të bekuar dhe sende simbolike që dëshironte t’ia çonte në spital.

Sipas rrëfimit të saj, gjatë kohës që ndodhej në kishë, ajo mori një telefonatë urgjente nga familjarët, të cilët i kërkuan të paraqitej menjëherë në spital, pa i treguar fillimisht të vërtetën e plotë mbi gjendjen e babait.

“Shkova në Kishën e Laçit për t’u lutur për babin që ishte sëmurë. Sa shkova, lashë një meshë aty dhe më morën në telefon më thanë të shkoja sepse babi nuk ishte mirë,” u shpreh ajo.

Momenti më i rëndë, sipas Xhodit, erdhi sapo mbërriti në spital, kur mjekët i konfirmuan ndarjen nga jeta të babait të saj, Ardjanit. “Kisha marrë dhe ujë të bekuar, i kisha marrë të gjitha gjërat për t’i treguar që ‘shiko babi, kam shkuar te vendi që ti na thua gjithmonë’… Kur ngjitem në katin e fundit të spitalit dhe doktori thotë që ‘Ardjani na la’, i kam hedhur të gjitha përtokë ato që kisha,” rrëfeu ajo mes emocionesh. Ish-banorja e BBVA e cilësoi këtë si një nga periudhat më të errëta të jetës së saj, duke theksuar se humbja e një prindi mbetet një plagë që nuk shërohet lehtë.