Kërkohen Griseld Taullaj dhe Xhafer Bajo për ngjarjen e rëndë në Sarandë, dyshohet se tentuan t’i marrin jetën 57-vjeçarit me lëndë plasëse
Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në muajin shkurt të këtij viti në jug të vendit, ku 57-vjeçari Mirash Kola dyshohet se ishte shënjestër e një at*entati të planifikuar me lëndë plasëse. Pas hetimeve intensive, autoritetet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona të dyshuar si të përfshirë në këtë rast.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kanë dokumentuar ngjarjen e ndodhur më 5 shkurt 2026, në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol.
Nga provat e mbledhura dhe informacionet e siguruara gjatë hetimit, policia ka identifikuar si autorë të dyshuar shtetasit Griseld Taullaj, 39 vjeç, dhe Xhafer Bajo, 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Për ta, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Hetimet paraprake tregojnë se dy të dyshuarit kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin tip “Nissan”, me targa AA 725 LG, që drejtohej nga shtetasi Mirash Gjikola, 57 vjeç, me qëllim eliminimin e tij.
Sipas të dhënave, lënda plasëse ishte vendosur në sediljen e pasme të automjetit dhe dyshohet se do të aktivizohej me telekomandë gjatë lëvizjes. Ngjarja u shmang në momentet e fundit, pasi 57-vjeçari ka vënë re diçka të pazakontë në mjet dhe ka njoftuar menjëherë policinë.
Atëherë në vendngjarje u angazhuan forca të shumta policore, specialistë të krimeve të rënda, si dhe njësia anti-eksploziv e RENEA-s, e cila realizoi neutralizimin e kontrolluar të lëndës së dyshuar shpërthyese.
Policia bën me dije se vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e Griseld Taullajt dhe Xhafer Bajos, ndërsa në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet edhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në këtë plan.
Burime zyrtare bëjnë me dije se automjeti ku u gjet lënda plasëse i përkiste Mirash Gjikolës, një person me precedent penal. Ai rezulton i dënuar më herët me 8 vite burg për tentativë vrasjeje. Sipas informacioneve policore, prej kohësh ishte larguar nga Lezha dhe jetonte në fshatin Shëndëlli, pranë Konispolit.
Autoritetet po hetojnë disa pista lidhur me motivet e kësaj ngjarjeje, përfshirë mundësinë e konflikteve të mëparshme apo hakmarrjes, duke marrë në konsideratë të kaluarën e 57-vjeçarit.
Emri i Mirash Gjikolës lidhet edhe me një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2012 në Lezhë. Në atë kohë, shtetasi Dedë Kovaçi, 40 vjeç, mbeti i plagosur me armë zjarri në fshatin Spitën. Sipas policisë së asaj kohe, ai ishte qëlluar me dy plumba pistolete brenda një lokali, ndërsa autor i dyshuar ishte pikërisht Mirash Gjikola, i cili pas ngjarjes ishte larguar për t’iu shmangur arrestimit.
Hetuesit dyshojnë se atentati i fundit mund të ketë lidhje me konflikte të vjetra, ndërsa puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijon.
