SPAK i ka dërguar zyrtarisht Ilirjan Celibashit konfirmimin për dënimin e formës së prerë të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Në shkresën e protokolluar gjatë muajit maj 2026, Prokuroria e Posaçme bën të ditur se Hajdari është shpallur fajtor për falsifikim formularësh, çështje e lidhur me procesin e verifikimit të figurës në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Sipas dokumentit të firmosur nga kryeprokurori Klodjan Braho, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi Hajdarin me 9 muaj burg për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”. Më pas, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 6 muaj dhe u pezullua me shërbim prove.

SPAK sqaron se vendimi ka marrë formë të prerë që prej 5 korrikut 2024, çka e vendos mandatin e kryebashkiakut në një situatë të brishtë ligjore. Kjo ka ngritur pikëpyetje edhe për vonesën e institucioneve në vënien në lëvizje të procedurave, ndërsa reagimet publike u shtuan vetëm pasi çështja u rikthye në vëmendje nga zhvillimet në Gjykatën e Lartë dhe daljet publike të rivalit të tij politik, Lefter Maliqi.

Prej kohësh, Maliqi ka depozituar kallëzime në SPAK dhe në KQZ, duke pretenduar se Hajdari kishte fshehur një dënim të mëparshëm në Greqi për kalim të paligjshëm të kufirit, i cili sipas tij nuk ishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit.

Ai ka akuzuar vazhdimisht institucionet për zvarritje të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, ndërsa ka kërkuar edhe pavlefshmërinë e mandatit të Hajdarit dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Kuçovë.

Pas njoftimit zyrtar të SPAK, tashmë vendimmarrja i kalon KQZ-së. Komisioneri Celibashi pritet të shqyrtojë çështjen dhe të vendosë nëse do të konstatohet përfundimi i parakohshëm i mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës. joq