TIRANË- Një histori që nisi si një lidhje e fshehtë mes dy kolegësh pune, përfundoi në kërcënime, shantazh dhe pasoja të rënda psikologjike për një 32-vjeçare. Në investigimin e radhës, Piranjat sjellin dëshminë e një gruaje, e cila rrëfen se si partneri i saj i fshehtë e filmoi me kamera të fshehta dhe më pas përdori pamjet intime për ta kërcënuar vazhdimisht.
Situata degradoi deri në atë pikë sa gruaja tentoi t’i jepte fund jetës.
“Një vit më parë, në fabrikën ku punoja, krijova njohje me një djalë. Punonim të njëjtën punë dhe aty nisi gjithçka. Fillimisht nisëm të flisnim më shumë me njëri-tjetrin, të shkëmbenim mesazhe dhe gradualisht marrëdhënia jonë kaloi përtej raportit të kolegëve.
Në punë ishim gjatë gjithë kohës bashkë, pasi kishim të njëjtin pozicion. Jashtë pune takoheshim rrallë, ndoshta një herë në dy ose tre muaj, në varësi të mundësive dhe mënyrës si shkonin gjërat mes nesh.
Një takim çdo dy muaj nuk është frekuenca që pritet nga një çift që sapo ka nisur një lidhje sentimentale dhe pretendon se ka ndjenja për njëri-tjetrin.
Por kjo distancë kishte një arsye, Blerta, 32 vjeçe, është e martuar.
Për këtë arsye, lidhja e saj me Dorin, 30 vjeç, bazohej te fshehtësia, besimi dhe kujdesi i madh për të mos u zbuluar nga bashkëshorti i saj.
Por pas një viti frekuentimi, ky besim u thye.
Partneri i saj kishte përdorur një kamerë të fshehtë për të filmuar çdo moment intim mes tyre. Në këtë pikë, historia nuk kishte më të bënte me një tradhti bashkëshortore, por me një marrëdhënie të kthyer në presion dhe shantazh, ku rregullat i vendoste ai që zotëronte videot intime.
Ish-partneri nuk u ndal me kaq.
Kur 32-vjeçarja nuk reagoi ndaj kërcënimeve të tij, ai nisi të dërgonte sinjale edhe te familjarët e saj.
Por cili ishte shkaku i këtyre presioneve të vazhdueshme nga një person që e dinte shumë mirë se ajo marrëdhënie nuk mund të kishte vazhdim për shkak të jetës familjare të Blertës?
Kërcënimet dukeshin qartë edhe në mesazhet që ai i dërgonte sa herë ajo tentonte të ndërpriste komunikimin. Një kërkesë llogarie që kalonte kufijtë e normales dhe shndërrohej shpesh në shantazh ndaj një gruaje, të cilën në shtëpi e prisnin bashkëshorti dhe fëmijët.
E gjendur pa rrugëdalje dhe në gjendje të rënduar psikologjike, gruaja ndërmori një akt ekstrem, duke tentuar vetëvrasjen.
Pasi arriti t’i mbijetojë kësaj situate dramatike, 32-vjeçarja vendosi ta ndajë historinë e saj me ne.
Më pas, së bashku organizuam një takim me ish-partnerin e saj, me shpresën për ta bindur të hiqte dorë nga kërcënimet dhe shantazhet.
Por në momentin kur kërcënimet u artikuluan edhe në praninë tonë, u bë e qartë se situata kishte kaluar çdo kufi dhe se duhej ndërhyrë për të kuptuar deri ku mund të arrinte kjo sjellje e 30-vjeçarit.” Piranjat
