Aydin Çavuşoğlu, 52 vjeç, vëllai i ish-ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka ndërruar jetë më 17 maj, pasi nuk arriti të mbijetojë nga plagët e marra në një sulm me armë zjarri në Antalya.

Sipas mediave turke, ai ishte qëlluar më 5 maj dhe ishte dërguar menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente.

Që prej asaj kohe, ai ndodhej në kujdes intensiv në gjendje kritike.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 52-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.

Funerali i tij është planifikuar të mbahet më 18 maj në orën 14:00.

Autoritetet turke nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare për rrethanat e sulmit, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.