Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar forcimin e masave për të goditur shitjen e lëndëve narkotike pranë shkollave, kryesisht në gjimnazet e vendit.
Mësohet se përmes një telegrami drejtuar drejtorive vendore të policisë dhe departamenteve, Hita ka kërkuar rritjen e sigurisë në institucionet arsimore dhe ndërhyrjen e menjëhershme ndaj shpërndarësve të drogës brenda perimetrit të shkollave.
Ky urdhër erdhi pas analizës së problematikave gjatë vitit shkollor 2024-2025 dhe pas shqetësimit të një prindi, i cili raportoi se fëmijës së tij i ishte ofruar kanabis pranë një gjimnazi në kryeqytet.
Hita ka kërkuar kryerjen e kontrolleve periodike dhe të befasishme, jo vetëm me patrulla të dukshme, por edhe me agjentë civilë.
