Poni me qime të himtë u shpëtua më 15 maj pasi u gjet “plotësisht i bllokuar” brenda një gome të madhe traktori të shtrirë në një fushë në Stoke-on-Trent, Angli, sipas një njoftimi nga RSPCA.
Oficerja e shpëtimit të kafshëve, Nicole Riley, reagoi në vendngjarje dhe mori ndihmën e banorëve të zonës për ta liruar ponin.
“Ka qenë një shpëtim shumë delikat,” tha Riley. “Poni i gjorë ishte plotësisht i ngjeshur pas gomës dhe, kuptohet, shumë i frikësuar dhe i parehatshëm.”

Ajo shpjegoi më në detaje mënyrën e shpëtimit:
“Na u desh të vepronim hap pas hapi për ta liruar në mënyrë të sigurt — fillimisht nxorëm këmbët e përparme, pastaj me kujdes i liruam shpatullën dhe në fund qafën dhe pjesën e përparme të trupit. Për fat të mirë, të gjithë punuan shumë mirë së bashku dhe arritëm ta nxjerrim pa asnjë lëndim.”
Kur Riley mbërriti në vendngjarje, e gjeti ponin në gjendje të vështirë. Qimet i kishte të ngatërruara dhe nuk mund të dilte vetë nga goma. Pak pas shpëtimit, poni arriti të ngrihej dhe të ecte vetë.
“Shumë shpejt filloi të kulloste dhe të lëvizte përsëri nëpër fushë,” tha ajo. “Por kjo mund të kishte përfunduar shumë ndryshe, ndaj jam shumë mirënjohëse për banorët lokalë që ndaluan dhe ndihmuan.”

Oficerja e shpëtimit e mbajti nën vëzhgim ponin për rreth një orë për t’u siguruar që ishte i qëndrueshëm dhe pa lëndime.
RSPCA tha se goma u largua nga fusha për të mos paraqitur më rrezik për kafshët.
Sipas Horse and Hound, pronarit të ponit i janë dhënë këshilla dhe dokumente për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Për sigurinë e kuajve, RSPCA inkurajon pronarët të mbajnë gardhet të sigurta dhe të pastrojnë zonat nga bimët helmuese. Organizata gjithashtu thekson se kuajt duhet të kenë hapësirë për lëvizje dhe kushte të thata jetese, pasi kushte të papërshtatshme mund t’i sëmurin.
