Marrëdhënia mes Indri dhe Vanesa, e krijuar gjatë spektaklit “Ferma VIP”, duket se ka marrë fund.
Aktori ka vendosur t’i japë fund lidhjes përmes një letre, të cilën e lexoi vetë gjatë programit, duke shprehur se largësia i ka bërë më të qarta ndjenjat e tij.
“Gjatë ditëve që nuk kemi qenë bashkë kam pasur një liri dhe besoj se ka qenë edhe për ty. Nuk besoj që historia jonë mund të ketë të ardhme. Nuk kam ndjerë mungesë, por liri”, thuhej në letrën e lexuar nga Indri.
Ai shtoi se nuk e konsideron veten personin e duhur për Vanesën dhe se ajo meriton dikë që ta dojë plotësisht.
Lidhja mes tyre kishte tërhequr vëmendje që në fillim të reality show-t, pasi Vanesa vendosi t’i japë fund marrëdhënies që kishte jashtë programit pas afrimitetit me Indrin.
Dyshja shpesh u komentua për raportin e tyre, i cili u shoqërua me debate dhe dilema brenda shtëpisë së “Ferma VIP”.
