ELBASAN – Policia ka vënë në pranga regjisorin e njohur Petri Bozo, pas aksidentit rrugor me pasojë vdekjen e një 7-vjeçari, ngjarje e shënuar mëngjesin e së hënës në aksin nacional Elbasan–Librazhd.

Sipas autoriteteve policore, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:00 në fshatin Mengël, pikërisht përpara shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”. Automjeti që drejtohej nga Bozo ka përplasur për vdekje të miturin, i cili ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje.

Hetimet e policisë dhe dëshmia e drejtuesit

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Ndonëse gjatë marrjes në pyetje regjisori Petri Bozo ka dëshmuar se nuk po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara, ekspertët rrugorë dyshojnë paraprakisht për të kundërtën, bazuar edhe në këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Rrethanat e ngjarjes sipas dëshmitarëve

Nga të dhënat paraprake dhe dëshmitë e personave në vendngjarje, mësohet se i mituri kishte shkuar në ambientet e shkollës i shoqëruar nga nëna dhe motra e tij.

Dëshmitë nga vendngjarja: Pasi kanë lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djaloshi 7-vjeçar (i cili i ndiqte mësimet në ndërresën e pasdites) janë drejtuar për nga një dyqan pranë rrugës nacionale. Në këtë moment, dyshohet se fëmija i ka shpëtuar nga dora të ëmës dhe ka tentuar të kalojë rrugën, duke u prerë rrugën mjeteve.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.