Një ditë pasi në Tiranë u zhvillua parada e 14-të e komunitetit LGBTQ, mbarëvajtja e së cilës u sigurua nga qindra forca policie, disa qytetarë që tentuan të organizonin një marshim paqësor në mbrojtje të familjes janë ndaluar nga policia.
Ngjarja ka sjellë reagime dhe akuza për standard të dyfishtë nga ana e autoriteteve, pasi sipas pjesëmarrësve, ndërhyrja ndaj tyre ishte e pajustifikuar për aq kohë sa marshimi ishte paqësor dhe nuk synonte të krijonte tensione apo përplasje.
Në video dëgjohet një qytetare që debaton me efektivët e policisë:
“Turp dhe faqja e zezë. Kjo është një shëtitje që po bëjmë, nuk është protestë. Ju latë transvestitët nga shtete të ndryshme të Europës të shëtisin lirshëm dhe nuk na lejoni ne.”
Një tjetër qytetar shprehet se marshimi kishte si qëllim mbështetjen e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve:
“Ne nuk po tentojmë të bëjmë dhunë dhe të prishim qetësinë. Ju po prishni qetësinë. Megjithatë, ju keni punën tuaj dhe merrni urdhrat nga lart. Shumica e policëve që janë këtu ndoshta do të hiqnin kapelat dhe do të vinin bashkë me ne në marshim, por detyrohen nga presioni i punës.”
Qytetarët mbanin pankarta me mesazhe si: “Për fëmijët, familjen dhe njerëzimin”, “Larg duart nga fëmijët tanë”, “Familja është djepi i dashurisë ku lind jeta” dhe “Stop indoktrinimit të fëmijëve nga homoseksualët”.
Debati kryesor që është ngritur pas këtij episodi lidhet me të drejtën e barabartë për tubim dhe shprehje të bindjeve. Pjesëmarrësit argumentojnë se nëse një komunitet lejohet të organizojë paradë dhe të shprehë publikisht vizionin e tij, atëherë edhe qytetarët me bindje konservatore duhet të kenë të njëjtën të drejtë për të marshuar pa u penguar.
