Në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian në Bruksel, kryeministri Edi Rama ka theksuar nevojën për një qasje të re të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke deklaruar se e ardhmja e vendit është e lidhur ngushtë me anëtarësimin në BE.

Rama u shpreh se për vite me radhë vendeve kandidate u është kërkuar të presin derisa vetë Bashkimi Europian të kryejë reformat e brendshme, por sipas tij kjo qasje nuk mund të vazhdojë më në të njëjtën mënyrë.

“Siç është thënë shumë herë… duhet të prisni derisa ne të formësojmë BE dhe do t’ju marrim me vete, por nuk do të ndodhë kështu. Të gjithë duhet të kuptojmë që ka ardhur koha ta luajmë ndryshe lojën me BE”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se çdo alternativë ndaj Bashkimit Europian për Shqipërinë do të nënkuptonte largim nga parimet e shtetit të së drejtës dhe rrugës së zhvillimit demokratik.

“Çdo alternativë kundrejt BE është një alternativë ndaj ligjit. Duam të jemi pjesë e kësaj, çfarëdo që të duhet, statusi apo çdo gjë tjetër, duam të jemi sa më afër”, deklaroi kryeministri.

Rama shtoi se integrimi nuk duhet të çojë në krijimin e një Europe me nivele të ndryshme qytetarie, por në një bashkim më të thellë dhe më të integruar të vendeve evropiane.

“Nuk është ideja të krijojmë një Europë me dy nivele qytetarie, përkundrazi bëhet fjalë për një Europë të integruar”, përfundoi ai.