Tragjedia rrugore në Dibër, emrat e të ndjerit dhe drejtuesve të automjeteve

Personat e përfshirë në aksidentin tr agjik të ndodhur pasditen e sotme në aksin Qafa e Buallit–Klos po ktheheshin nga një ceremoni mortore, kur u përfshinë në përplasjen fatale që i mori jetën njërit prej tyre.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në segmentin rrugor Bulqizë–Klos, në vendin e njohur si “Plani i Bardhë”, ku dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin për shkaqe që ende po hetohen nga autoritetet.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, në aksident janë përfshirë dy automjete që drejtoheshin nga shtetasit me iniciale Xh. S. dhe S. C. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi H. Gj., pasagjer në automjetin që drejtohej nga S. C.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se në total kanë mbetur të plagosur katër persona, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Bulqizës për të marrë ndihmën mjekësore. Mësohet se një prej të plagosurve ndodhet në gjendje kritike, ndërsa të tjerët po marrin trajtim nën kujdesin e mjekëve.

Të dhënat paraprake tregojnë se personat që ndodheshin në automjet po ktheheshin nga një rast vdekjeje, kur ndodhi aksidenti tragjik.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes që tronditi zonën e Klosit këtë të diel.