Muaji maj ka shënuar një tjetër rekord në tregun valutor, me monedhën europiane Euro që ka rënë në nivelin më të ulët historik ndaj lekut shqiptar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer mesatarisht me 95.48 lekë, nga 98.51 lekë në maj të vitit të kaluar, duke humbur mbi 3 lekë në vetëm një vit.
Edhe monedha amerikane US Dollar ka pësuar rënie të ndjeshme, duke u këmbyer mesatarisht me 81.76 lekë, nga 95.09 lekë një vit më parë, ose rreth 13.33 lekë më pak.
Kjo situatë e ka çuar tregun valutor në nivele të reja minimale për të dy monedhat kryesore ndërkombëtare, duke reflektuar një forcim të mëtejshëm të lekut në tregun vendas.
Në përpjekje për të stabilizuar kursin dhe për të shmangur një zhvlerësim të mëtejshëm të euros, Banka e Shqipërisë ka shtuar ndërhyrjet në tregun valutor përmes blerjeve të valutës, sipas burimeve financiare.
Ekspertët e tregut e shohin këtë trend si rezultat të flukseve të larta valutore në ekonomi, por edhe të politikës monetare të ndjekur nga autoriteti qendror.
