Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Gerald Bibën, rojen private të arrestuar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së zhvilluar në zonën e Zvërnecit.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të materialeve hetimore dhe dëgjimit të palëve në seancën gjyqësore. Sipas autoriteteve, 32-vjeçari akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Sipas Policisë së Shtetit, Biba dyshohet se ka goditur me grusht një protestues dhe më pas, në bashkëpunim me dy persona të tjerë të proceduar penalisht, e ka tërhequr me forcë, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Ngjarja ndodhi gjatë protestës së organizuar nga banorë dhe aktivistë kundër projektit që po zhvillohet në zonën e Zvërnecit, ku u regjistruan tensione mes protestuesve dhe personave të angazhuar për sigurinë e projektit.

Ndaj Gerald Bibës do të vijojnë procedurat ligjore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë ende në vazhdim.