Ka mbërritur me urgjencë në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë efektivi i forcave “Shqiponja”, Edison Adri, 36 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë shkëmbimit të zjarrit të mëngjesit të sotëm në malin Boden të Maliqit.

Në pamjet e siguruara përmes një videoje, dallohet momenti i mbërritjes së efektivit në ambientet e spitalit, ku është pritur menjëherë nga ekipet e mjekëve të urgjencës.

Burime mjekësore bëjnë me dije se 36-vjeçari ka marrë një plagë tejet të rëndë: një plumb i vetëm i ka përshkuar faqen tejpërtej nga njëra anë në tjetrën, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në strukturën e nofullës.

Për shkak të specifikës dhe rëndësisë së plagës, efektivi i është nënshtruar menjëherë ekzaminimeve të thelluara dhe pritet të futet në sallën e operacionit për një ndërhyrje të specifikuar kirurgjikale.

Edison Adri u plagos gjatë një operacioni në zonën e Lozhanit për kapjen e ish-ushtarakut të shpallur në kërkim, Violand Braçellari.

Ky i fundit hapi zjarr të befasishëm ndaj grupit të policisë duke vrarë në vend inspektorin Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe duke lënë të plagosur Adrin. Vetë autori u plagos në dorë nga kundërpërgjigjja e policisë dhe aktualisht ndodhet i arrestuar në spitalin e Korçës.