Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet për investimin në fjalë, duke theksuar se ai ka qenë i paralajmëruar prej kohësh dhe nuk është një projekt i dalë papritur.

Rama deklaroi se edhe nëse në shesh do të dilnin jo 5 mijë, por 500 mijë persona për të kundërshtuar, kjo nuk do të ndryshonte faktin se sipas tij mbi 800 mijë qytetarë kanë dhënë besimin e tyre përmes votës dhe kanë bërë një “marrëveshje” me të dhe Partinë Socialiste për zhvillimin e projekteve të tilla.

Ai kujtoi se investimi është prezantuar që gjatë fushatës elektorale dhe se qytetarët kanë qenë të informuar për planet e qeverisë. Rama tha se kishte ardhur direkt nga Tivati i Malit të Zi, duke e sjellë atë si shembull të transformimit ekonomik.

Sipas tij, Tivati dikur konsiderohej një nga zonat më të pazhvilluara të Malit të Zi, pasi shërbente kryesisht si bazë ushtarake dhe nuk tërhiqte turistë.

Megjithatë, falë investimeve strategjike, ai është shndërruar në një nga destinacionet më të njohura turistike të rajonit.

Rama: “Jo 5 mijë veta, por 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë, janë 800 e kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe PS. Ky investim nuk doli sot papritur. Unë e kam thënë në fushatë. Unë isha në Tivat, erdha direkt nga Tivati këtu… Tivati ishte vendi më i pazhvilluar në Mal të Zi, nuk shkonin turistë se ishte bazë ushtarake”.