Cdo investitor serioz që interesohet për Zvërnecin, Karaburunin apo zonën e Ujit të Ftojtë, duhet të negociojë më parë me një faktor lokal, mandej me qeverinë shqiptare
Bëhet fjalë për Artur Shehun, 58 vjeç, një personazh që është bërë pronar i qindra hektarë prona në Zvërnec, Karaburun dhe zonave më të lakmueshme të Vlorës, të cilat marrin një rëndësi dhe vlerë marramendëse me hapjen e aeroportit.
Emisarët e Artur Shehut për të ‘futur në dorë’ Zvërnecin dhe zona të tjera fillimisht dyshohet se ishte Pëllumb Petriti, i dënuar të paktën 3 herë për përvetësimin me letra false të mbi 800 hektarë toka në Karaburun dhe Zvërnec, më pas Kreshnik Telelena, i cili ka dalë pronar i pyllit, rërës dhe detit në Zvërnec dhe vitet e fundit Leonard Bishaj (lidhje e klanit mafioz “Sacra Corona Unita”).
Disa artikuj dhe investigime mediatike e përshkruajnë Artur Shehun si mafiozin më të madh të Vlorës me veprimtari 30-vjeçare, aktiv edhe sot, me 5 emra, që jeton prej 23 vitesh në Florida të SHBA nga ku komandon aktivitetin në Vlorë, si bos droge dhe kazinosh, si përfaqësues i mafies italiane “Sacra Corona Unita” në Vlorë, bos të mafies së pronave etj.
Por, në fakt ndaj Artur Shehut nuk ka asnjë akuzë për ndonjë vepër penale.
Megjithatë, disa fakte të tjera tregojnë për lidhjet dhe fuqinë e ndikimit të Artur Shehut deri në kupolën e qeverisë.
Shehu është biznesmeni i parë që do të shtrijë ndërtimin e një resorti në det, në Lungomaren e Vlorës, pranë Ujit të Ftohtë dhe vilës së famshme qeveritare.
Vendimi është firmosur nga vetë Edi Rama më 16 mars 2022 si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit.
Leja është dhënë për kompaninë Adhenis, me pronar Artur Shehu, i përfaqësuar nga Leonard Bishaj.
Kjo vendimarrje tregon për fijet lidhëse dhe ndikimin e Shehut deri në qeveri, ku përpos përfitimit të tokave me letra të diskutueshme, arrin edhe të marrë leje për të ngitur resorte në det, objekt të cilin as dy-tre oligarkët kryesorë nuk kanë fuqi t’a arrijnë.
Faktorë lokalë në Vlorë e përshkruajnë Artur Shehun si biznesmen serioz, i larguar prej dy dekadash jashtë vendit.
Por, nëse u referohemi disa investigimeve mediatike, Artur Shehu vizatohet si një personazh, të cilit vetëm SPAK, që ka mbështetjen e CIA-s dhe FBI, mund t’i bëjë ballë, duke hapur dosjet se si qindra hektarë tokë përfunduan në duart e tij.
Nga banesa e tij me pamje nga laguna piktoreske e Nartës në jug të Shqipërisë, 72-vjeçari Jorgaq Subashi mund t’i hedhë një sy tokës që iu dha në vitin 1993 si pjesë e përpjekjes së qeverisë për të kthyer pronat e kapura nën sundimin komunist.
Por ai nuk lejohet të jetojë në të.
Pothuajse tre dekada pasi e fituan tokën përsëri, Subashi dhe 34 bashkëfshatarë të tij ende nuk i kanë marrë aktet e tyre të pronës. Ata mbeten të bllokuar nga burokracia në dukje e pandryshueshme, pavarësisht se një gjykatë konfirmoi në vitin 2012 se pronat e tyre ishin transferuar në mënyrë të paligjshme në një klan të fuqishëm lokal të lidhur me vjedhjen e pjesëve të bregdetit jugor rreth qytetit të Vlorës.
“Ne e dimë që tokat na u morën nga kolektivizimi i bujqësisë gjatë regjimit komunist.”- tha Subashi. “Pas viteve ’90-të, shteti na i ktheu ato, por ne ende nuk mund t’i regjistrojmë.”
Gjendja e vështirë e fshatarëve është diçka e zakonshme për kombin ballkanik, një nga vendet më të varfra në Evropë, ku përpjekjet për reformën e tokës janë penguar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni. Në disa raste, procesi është rrëmbyer nga gangsterë të dyshuar si Artur Shehu, i cili, së bashku me disa nga anëtarët e familjes së tij, akuzohet se ka vjedhur gati 500 hektarë të pasurive të patundshme kryesore pranë Vlorës.
Një figurë e botës së krimit, i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar në Shqipëri dhe një degë të fuqishme të mafies italiane, Shehu u largua nga vendlindja në vitin 1999 pas një përplasje vdekjeprurëse me armë në lokalin e tij në Vlorë.
Ai kërkoi azil në SHBA dhe e fitoi atë në vitin 2001. Në vitin 2019 ai mori kartonin jeshil, duke i hapur rrugën që të bëhej shtetas amerikan. Pavarësisht daljes së tij të nxituar nga Shqipëria, ai ka vazhduar të drejtojë operacionet atje nga pallati i tij i sigurt në bregdetin e Floridës.
Shehu nuk është akuzuar zyrtarisht për një krim, por bashkëpunëtori i tij Pëllumb Petritaj, i cili mbikëqyr shumë nga pronat e tij, është shpallur fajtor se ka falsifikuar dokumente për të marrë toka në emër të familjes Shehu.
Aktivitetet e Shehut janë megjithatë, të njohura në nivel lokal. Një komision gjyqësor e përshkroi atë në vitin 2018 si “një lojtar kryesor” në vjedhjet e tokës përreth Vlorës. Kur u pyetën pse nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim kundër Shehut, pavarësisht provave nga çështje të shumta, zyra e prokurorëve në Vlorë nuk pranoi të komentonte.
Shehu nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me këtë çështje. Në vend të kësaj, ai iu afrua OCCRP-së përmes një ndërmjetësi, i cili i ofroi një reporteri “çfarë të donte” në këmbim të heqjes së lajmit.
Por pas viteve me një profili të ulët në vendin e tij të lindjes dhe punës përmes ndërmjetësve, emri i Shehut kohët e fundit është shfaqur në dokumente që tregojnë interesa të reja biznesi në rivierën shqiptare.
Në vitin 2019 ai bashkë-themeloi një firmë për zhvillimin e hoteleve të quajtur Portonova, e cila ndan një emër me një plazh në periferi të Vlorës. Në Prill të vitit të kaluar, ai hapi një firmë tjetër për të zhvilluar turizmin, Adhenis. Duket se Shehu po paraqet një imazh të ri publik – një imazh që është shumë larg prejardhjes së tij të pretenduar kriminale në një qytet që dikur mbushej me gangsterë.
Jeta në Vlorë në fund të viteve 1990 ka qenë sakatuese. Hadër Cako, i cili drejtoi një njësi hetimore në forcën lokale të policisë gjatë asaj periudhe, kujton se për disa vjet, qyteti ishte tërësisht nën kontrollin e bandave lokale.
Ekonomia shqiptare u shemb pasi disa skema piramidale në të gjithë vendin u shkatërruan në vitin 1996 dhe 1997 dhe vendi ra në konflikt civil, duke shkaktuar një ndërhyrje ushtarake të Kombeve të Bashkuara të udhëhequr nga Italia.
Ushtarët italianë patrullojnë Vlorën në vitin 1997, si pjesë e operacionit “Alba” të OKB-së
“Stacioni i policisë ishte pa dritare e pa dyer”- i tha Cako OCCRP-së. “Qyteti ishte plotësisht nën kontrollin e bandave kriminale lokale. Qyteti ishte një qendër vrasjesh brutale, përdhunimesh, vjedhjesh”.
Shehu, i larguar nga një post në forcat speciale të Shqipërisë, ishte i njohur në mesin e policisë në Vlorë në atë kohë për veprimtari kriminale, sipas një ish-shefi të policisë së Vlorës i cili kërkoi të mos i përmendej emri për arsye sigurie.
“Ai kishte një hotel, dhe më vonë ndërtoi një kazino.”- tha ish-zyrtari.
Dritan Zagani, i cili drejtoi njësinë e anti-narkotikëve në qytet në fund të viteve 1990, tha se ai kishte bashkëpunuar me një njësi italiane anti-drogë duke hetuar një rrjet krimi me të cilin Shehu dyshohej se ishte i përfshirë.
“Kishte një hetim të hapur ndaj një grupi të krimit të organizuar italo-shqiptar për veprat e trafikimit të qenieve njerëzore dhe narkotikëve.”- tha Zagani.
Cataldo Motta, një ish-prokuror në qytetin jugor italian të Leçes, i cili shtrihet vetëm 112 km në perëndim nga Vlora, përtej detit Adriatik, gjithashtu kujtoi çështjen ku përfshihej Shehu:”Është një emër i njohur. Ai ishte në dosjet tona i dyshuar për trafik droge.”
Shehu i dha OCCRP-së një letër të qershorit të vitit 2016 nga zyra e prokurorit në Leçe, ku thuhej se ai nuk ishte i dënuar në atë juridiksion, por refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve mbi këtë çështje, ose të komentonte për këtë histori.
Koha e Shehut në Vlorë përfundoi pas përplasjes me armë të vitit 1999 në lokalin e tij, sipas Zaganit. Ai tha se anëtarët e bandës vranë dy persona në këtë sulm, duke përfshirë dajën e Shehut, Luan Bedinin.
“Luani vdiq në krahët e Arturit dhe ai u zotua të merrte hak për vrasjen e dajës së tij.”- tha Zagani.
Ai tha se policia donte të merrte në pyetje Shehun në lidhje me të shtënat dhe përfshirjen e tij të pretenduar me një sindikatë lokale të krimit, por ai u largua nga vendi.
Sipas dokumenteve të gjykatës amerikane, Shehu ka qenë banor i atij vendi që prej të paktën vitit 2001, kur iu dha azili. Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-ve, të cilat përpunojnë kërkesat e azilit, thanë se nuk ishin në gjendje të zbulonin ndonjë informacion mbi çështjen.
Në vitin 2005, ai u transferua në Miami, ku ndërtoi një vilë të stilit kolonial me pamje nga një fushë golfi, e kompletuar me kolona dhe një stemë të zbukuruar. Prona është vlerësuar deri në 3 milionë dollarë. Të dhënat e pronave në Florida tregojnë se, përveç vilës me katër dhoma gjumi, Shehu më parë zotëronte edhe një seri kondosh në Miami dhe zonat përreth.
Shtëpia e Shehut qëndron në një lagje të pasur vetëm disa minuta larg bregut, me një lëndinë të rrethuar nga pemët. Dy vetura Mercedes-Benz ishin parkuar në rrugëkalim kur një reporter nga “Miami Herald” vizitoi pronën.
Përveçse vendosi një letër me pyetje në kutinë postare të Shehut, gazetari gjithashtu ia dërgoi atij pyetjet përmes Fedex, për të cilat nënshkroi dikush në këtë adresë. Pas kësaj, Shehu kontaktoi një reporter në Shqipëri përmes një ndërmjetësi, i cili i ofroi atij “çfarë të donte” në këmbim të heqjes së lajmit.
Rezidenca e Artur Shehut në Miami
Megjithëse Shehu ka kaluar gati dy dekada duke jetuar në Miami si refugjat, hetuesit italianë të antimafias besojnë se ai ka vazhduar të bëjë biznes në Shqipëri – ndonjëherë pretendohet se e ka bërë në emër të gangsterëve italianë.
Guglielmo Cataldi, një tjetër prokuror në Lecce, tha se Shehu u hetua në vitin 2012 për rolin e tij në investimin e parave në Shqipëri për Albino Prudentinon, një anëtar i vjetër i organizatës mafioze italiane “Sacra Corona Unita”.
Një dokument gjyqësor italian i marrë nga OCCRP tregon se nga viti 2009, Prudentino mori me qira një pjesë të një ndërtese luksoze në pronësi të Shehut në lagjen Uji i Ftohtë të Vlorës. Shefi i mafies italiane drejtoi një restorant dhe një dyqan akulloresh në katin përdhesë si dhe një kazino, në katin më lart.
Prudentino u shpall fajtor në vitin 2013 për pastrim parash të mafies përmes këtyre bizneseve dhe u dënua me tre vjet burg. Prokurorët italianë pretenduan se Shehu bëri 1 milion euro duke e ndihmuar atë ta bënte këtë, megjithëse ata vunë në dukje se nuk kishin prova të mjaftueshme për ta akuzuar Shehun.
Shehu nuk u akuzua në Itali, por Cataldi tha se çështja kundër tij iu kalua hetuesve shqiptarë. “Ne i dërguam të dhënat që kishim në Shqipëri, duke u treguar atyre se çfarë ishin investimet, por unë nuk e di se si shkoi ky hetim.”
Prokuroria e Shtetit e Shqipërisë, Policia dhe Prokuroria e Vlorës… asnjëra nuk pranoi të komentojë mbi çështjen.
Duke filluar nga viti 2006, nga pozicioni i tij i rehatshëm në Miami, Shehu filloi të grumbullojë një portofol të gjerë pronash rreth Vlorës – përmes mjeteve që banorët lokalë thonë se ishin të paligjshme.
Megjithëse ai dhe familja e tij përfituan, Shehu nuk është akuzuar kurrë drejtpërdrejt për çështjet e tokës. Sidoqoftë, një bashkëpunëtor i ngushtë i tij, Pëllumb Petritaj, u dënua në vitin 2018 për falsifikim të dokumenteve të tokës për të uzurpuar 187 hektarë tokë.
Në çështje të tjera gjyqësore që përfshijnë një total prej gati 300 hektarësh shtesë pranë Vlorës, Shehu dhe anëtarët e familjes së tij akuzohen për rrëmbimin e pronës përmes falsifikimeve të ngjashme. Kjo përfshin tokën në brigjet e Lagunës së Nartës që Subashi dhe bashkëfshatarët e tij thonë se u janë vjedhur atyre.
Në këto raste të vazhdueshme, Petritaj dyshohet se do të falsifikonte dokumente me ndihmën e zyrtarëve lokalë për të marrë tokën në duart e Arturit dhe babait të tij, Ramisit. Ndonjëherë një palë e tretë do të merrte tokën, pastaj ia transferonte atë Shehut.
Pavarësisht nga mungesa e veprimeve ligjore kundër Shehut, të paktën disa në gjyqësor janë të vetëdijshëm për reputacionin e tij për shpronësimin e tokave përreth Vlorës.
Një çështje disiplinore në vitin 2018 pa Artur Malajn të shkarkohej për çështje etike, një gjyqtar në Tiranë i cili kishte shërbyer më parë si kreu i Gjykatës së Vlorës. Ndër gjetjet e hetimit ndaj gjyqtarit ishte se të paktën një nga anëtarët e familjes së tij kishte blerë tokë nga Shehu, të cilën Malaj nuk arriti ta raportonte.
“A. Sh dyshohet se është një lojtar kryesor në procesin e tjetërsimit të pronave në Vlorë.”-shkruhet në raport, që i referohet Shehut.
Gjykatësi i tha OCCRP-së se vetëm një anëtar i familjes kishte blerë tokë nga Shehu. Ai tha se nuk kishte patur njohuri për këtë derisa hetimet e zbuluan dhe këmbënguli se ai nuk kishte pasur asnjë kontakt me Shehun.
“Unë kam qenë një gjykatës në qytetin e Vlorës për rreth 10 vjet. Në asnjë rast të vetëm nuk kam pasur ndonjë çështje pronësie ose çështje të tjera që kishin të bënin… me Artur Shehun ose familjen e tij.”-tha Malaj.
Edhe ata me burime të konsiderueshme në dispozicion janë detyruar të bëjnë marrëveshje me Shehun. Këto përfshijnë një fondacion bamirësie të formuar në vitin 2014 me misionin e rimarrjes së pasurisë stërgjyshore të Eftimiadis, një familje që emigroi nga Vlora në Itali në fillim të shekullit të 20-të.
Pasuria e familjes Eftimiadi u kap nga ndërrimet politike dhe ideologjike që tronditën Shqipërinë gjatë gjithë shekullit të 20-të. Në fillim të viteve 2000, një shekull pasi familja emigroi në Itali, përpjekjet për të kërkuar pronën ranë në grackën e korrupsionit dhe joefikasitetit gjyqësor.
Pasi zbuloi se një pjesë e pasurisë ishte marrë nga Shehu, bordi i fondacionit (ku bënte pjesë dhe një ish-diplomat italian dhe një gjeneral në pension në policinë financiare të Italisë) vendosi të bëjë një marrëveshje me të.
Fondacioni Luca dhe Marco Eftimiadi nënshkruan një kontratë me Shehun në vitin 2015, duke rënë dakord të pranonin tetë apartamente dhe tre hektarë tokë në vijën bregdetare. Asnjë nga ato prona nuk ishin fillimisht pjesë e pasurisë dhe fondacioni ra dakord të heqë dorë nga çdo kërkesë për tokën stërgjyshore. Petritaj nënshkroi kontratën në emër të Shehut.
Fondacioni kishte synuar të ndërtonte një marinë të vogël që do të gjeneronte fonde për misionin e saj bamirës, ??i cili përfshinte ndërtimin e urave midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky plan u ndal kur fondacioni kuptoi se transferimi i tokës ishte bazuar në dokumente të falsifikuara, sipas Namik Alimuçit, një biznesmen shqiptar i cili ka drejtuar një lokal në pronë për 15 vjet.
“Ata janë të gjithë të rremë dhe i gjithë fshati e di këtë.”- tha Alimuçi, i cili supozohej të punonte me fondacionin për zhvillimin e bregdetit.
(Toka bregdetare afër Vlorës që Shehu pretendoi se po ia dhuronte Fondacionit Eftimiadi)
Saga e pasurisë së familjes Eftimiadi është vetëm njëra nga mijëra historitë e ngjashme në të gjithë Shqipërinë, e cila është kapur në një rrjet pretendimesh konkurruese për tokën- një trashëgimi e komunistëve që e shtetëzuan pronën dhe një seri vjedhjesh gjatë përpjekjeve për ta kthyer atë në pronë private.
Çështjet e tokës përreth Vlorës janë veçanërisht të komplikuara, sipas Elona Hodaj, një ish-drejtoreshë e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në qytet.
“Është një situatë e krijuar për 25 vjet.”- tha ajo. “Ka vendime gjyqësore që i kanë dhënë të njëjtën pronë një herë një pale dhe një herë një pale tjetër.”
Hodaj zgjati më pak se një muaj në detyrë. Ajo është një nga tetë drejtorët që kanë dhënë dorëheqjen që nga shtatori i vitit 2019, secili duke përmendur “arsye personale” për largimin.
Kur ai erdhi në pushtet në vitin 2013, Kryeministri Edi Rama u zotua të zgjidhë krizën e tokës në Shqipëri dhe të sigurojë që pronat e vjedhura t’u kthehen pronarëve të tyre të ligjshëm.
“Shqipëria nuk mund të jetë vendi që gjenerata e ardhshme do të trashëgojë, si një vend ku grabitësit dhe falsifikuesit gëzojnë njëherë e përgjithmonë produktin e veprimeve të tyre kriminale.”- tha Rama në 2015-ën.
Përpjekjet e qeverisë së tij deri më tani kanë parë pak sukses. Hajdutët e pretenduar të tokave si Shehu kanë përparuar, ndërsa të tjerët si Fondacioni Eftimiadi dhe fshatarët në Zvërnec, afër lagunës së Nartës, nuk kanë qenë në gjendje të rimarrin pronat e tyre.
Pasi dështuan të negociojnë, Subashi dhe bashkëfshatarët e tij kanë mbetur me një mundësi të fundit të mundshme. “Ne i kemi shkruar çdo kryeministri për vite me rradhë.”- tha Subashi. “Ne gjithashtu i kemi shkruar Edi Ramës.”
Verën që lamë Dritan Koçirajt, i cili prej 15 vitesh ka me leje një kabinë prej dërrase në plazhin e virgjër të Zvërnecit, iu desh ta kalonte në luftë me “pronarin” e plazhit.
Gjatë muajit maj 2021, teksa aplikoi si çdo vit për leje për ushtrimin e aktivitetit në këtë zonë, i njoftuan se pronës-shtet i kishte dalë “pronari”, ndaj leja për shfrytëzimin e plazhit iu refuzua.
Kabinën, duke filluar nga muaji maj i çdo viti deri në fund të shtatorit, Dritan Koçiraj e kthen në një restorant të vogël, me disa shezlonë përreth. Në këtë biznes ai ka punësuar edhe familjen e të vëllait dhe me të ardhurat mundëson arsimimin e dy fëmijëve.
Të dhënat e siguruara nga Investigative Network Albania tregojnë se pronar i 95 mijë metrave katrorë pyll dhe rërë buzë detit në Zvërnec është bërë Kreshnik Tepelena, ish-drejtuesi i portit të Durrësit deri 6 muaj më parë.
INA MEDIA ka zbuluar se Tepelena u bë pronar i kësaj sipërfaqeje të majme nëpërmjet një kontrate të paqartë dhurimi nga Artur Shehu, i cili përflitet për lidhje me botën e krimit dhe dyshohet se qëndron pas grabitjeve të mijërave hektarëve tokë në zonën e Nartës dhe Zvërnecit.
Prej dy dekadash ai jeton në Amerikë, pasi u arratis nga Shqipëria në vitin 1999, pas një përplasjeje me armë zjarri në lokalin e tij në Vlorë.
Burime konfidenciale për INA MEDIA-n bëjnë me dije se Kreshnik Tepelena, të cilit i është besuar kjo pronë mjaft e lakmuar, është i afërm i Artur Shehut.
Pas marrjes së pronësisë, Kreshnik Tepelena iu ka hapur luftë dy bizneseve të vogla, që funksionojnë në këtë zonë me leje të rregullt prej më shumë se 15 vitesh.
“Pas 15 vitesh na thonë se deti dhe rëra janë pronë private”, – thotë Dritan Koçiraj për Investigative Network Albania, teksa mban në duar një “thes” me letra.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe fqinji i tij në këtë plazh, Sotir Tafili, i cili këtë verë e ka kaluar nëpër gjyqe e duke bërë kallëzime penale.
“Na kanë lodhur. Ne nuk pretendojmë pronë në rërë dhe det, po të na linin që të punonim me qira, siç kemi punuar çdo vit”, – thotë Sotir Tafili, i cili ashtu si Dritani ka rreth 17 vite në të njëjtën zonë.
“Kam 17 vite që e shfrytëzoj me qira çdo verë. Nëse do të ishte pronë private, pse u kujtuan tani?! Kjo është det, rërë dhe pyll”, – vijon ai, ndërsa denoncon se para fillimit të sezonit veror 2021 i ka shkuar një qytetar tjetër për t`i bërë një ofertë që të linte lokalin.
“Erdhi Kreshnik Tepelena dhe më ofroi 50 mijë euro që të lija biznesin. Natyrisht, unë e refuzova. Me këtë biznes të vogël, që s`i kam lënë gjë mangët shtetit pa paguar, mbaj familjen me bukë. Kam 3 fëmijë të mitur”, – thotë Sotiri, ndërsa tregon edhe sorollatjet shumëvjeçare për të bërë letra.
95 mijë metrave katrorë pyll dhe rërë iu del pronari
Por, si u bë pronë private pylli dhe rëra në Zvërnec?!
Dokumentet, që zotëron INA MEDIA, tregojnë një procedurë të paqartë, por që ka mjaftuar për ta bërë Tepelenën pronar të kësaj prone.
Fillimisht INA MEDIA i dërgoi një kërkesë për informacion Zyrës Rajonale të Kadastrës në Vlorë për të na vënë në dispozicion dokumentin e origjinës së regjistrimit të kësaj prone, por kjo zyrë në asnjë rast nuk denjoi të jepte informacionin e kërkuar.
Pavarësisht heshtjes së Kadastrës së Vlorës, Investigative Network Albania arriti të sigurojë dokumentet e regjistrimit të kësaj prone nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Vlorë, në emër të Kreshnik Tepelenës, i cili tashmë është ligjërisht pronar i rreth 95 mijë metrave katrorë pyll dhe rërë në plazhin e Zvërnecit.
Më konkretisht, sipas dosjes që disponon INA MEDIA bëhet fjalë për tri prona dhe më konkretisht pasuritë me nr. 47/227, nr. 47/228 dhe ajo me nr. 47/229, të cilat rezultojnë të kenë kaluar në favor të Kreshnik Tepelenës përgjatë vitit 2020. Ndërkohë, më datë 25.11.2020 janë lëshuar certifikatat e pronësisë për të tria këto pasuri.
Duke iu referuar dosjes së kësaj prone, që INA MEDIA disponon, vihen re mjaft pasaktësi.
Konkretisht, ASHK, Vlorë thotë se pasuritë rezultojnë në zonën kadastrale 8604, por jo në Zvërnec, ndërsa zëri i tyre kadastral është pyll dhe jo ranishte; ndërkohë që nga plani i rilevimit duket qartë se pjesë e pasurisë është edhe një rrip ranor.
Dokument rilevimi i pyllit të Sodës, ku duket edhe prona në konflikt
Siç duket edhe nga harta, prona e Tepelenës është e rrethuar me vijë të kuqe, ndërkohë që shtrihet deri në pjesën ranore të detit Adriatik.
“Të tria pasuritë janë në emër të Kreshnik Tepelenës dhe janë përfituar me kontratë dhurimi dhe me kontratë shkëmbimi nga Artur Shehu në favor të z. Kreshnik Tepelena”, – pohojnë burimet nga ASHK, Vlorë. Ky akt dhurimi rezulton edhe në kartelat përkatëse, por mënyra se si është regjistruar kjo pronë ngre pikëpyetje të forta për skandalin e pronave në këtë zonë.
Referuar dosjes së kësaj pasurie, nga e cila INA MEDIA ka siguruar të gjithë referencën e pronës për të tria pasuritë, mungon dokumenti fillestar i origjinës së regjistrimit të pronës.
Në këtë dosje, që INA MEDIA e disponon, rezulton se në referencë janë vetëm këto dokumente: “aplikim, faturë, kartelë për ref. harte, kontratë dhurimi/shkëmbimi, formular tatimi”.
Por, në asnjë rast nuk ka një dokument fillestar, që të tregojë se si u regjistrua kjo pronë në ASHK, Vlorë nga dhuruesi Artur Shehu.
Dokumenti fillestar i regjistrimit është një dokument bazë që vërteton pronësinë dhe origjinën e pronës, ndërsa në dosjen e zotëruar nga INA MEDIA ky dokument nuk ekziston, por vetëm bëhet një akt dhurimi nëpërmjet pesë kontratave.
Kontrata e parë e dhurimit i referohet pasurisë me nr. 47/229 në zonën kadastrale 8604. Janë 1200 metra katrorë pyll dhe është vulosur nga noterja Belona Seraj.
Kontrata e dytë e dhurimit i referohet pasurisë me nr. 47/227 dhe i dhuron Kreshnik Tepelenës 10 mijë metra katrorë pyll, ndërsa kontrata e tretë i dhuron pasurinë me nr. 47/226, që ka një sipërfaqe prej 10.800 m2 pyll, ndërsa pasuria me nr. 47/226 e bën pronar Tepelenën të plot 60.150 m2 pyll buzë detit të Zvërnecit, ndërsa dhurimi i pasurisë nr. 47/228 i jep edhe 12 mijë metra katrorë të tjerë, duke e çuar totalin në 95 mijë metra katrorë pronë të dhuruar.
Kartela e pronës së Kreshnik Tepelenës në ASHK, Vlorë
Në dokumente thuhet se prona e Artur Shehut, e dhuruar më pas për Kreshnik Tepelenën, i cili ka mbajtur disa detyra shtetërore dhe së fundmi ka qenë një ndër drejtuesit e lartë në portin e Vlorës, është bërë në muajin nëntor 2020. Në të pesta kartelat e pasurisë thuhet se prona është “pyll”, ndërkohë që në asnjë rast nuk figuron ranishte, ndryshe nga sa e tregon plani i rilevimit.
Kadastra e Vlorës ka qenë shpesh në qendër të akuzave për tjetërsim të pronave në bregdet, duke u kthyer në mallkim për drejtuesit e këtij institucioni, i cili ndërroi 10 drejtues në më pak se një vit. Njëri prej tyre madje shënoi edhe rekordin si drejtuesi më jetëshkurtër, duke qëndruar vetëm 4 ditë në pozicionin e drejtorit të Kadastrës së Vlorës.
Ngërçi u pranua edhe nga vetë kreu i kadastrës, Artan Lame, duke e cilësuar Vlorën si më problematiken, si pasojë e çështjeve të mbartura në dekadat e fundit.
“Kadastra e Vlorës është institucioni më problematik në vend. Ne po heqim kusuret e 25 vjetëve tallje me njerëzit”, – deklaroi Lame më 2020.
Në gusht të vitit 2021, SPAK zbarkoi në Kadastrën e Vlorës dhe sekuestroi disa nga dosjet më të nxehta të pronave në jug. Pak kohë më pas, në tetor të vitit 2021, u arrestua edhe ish-drejtuesi, Klodian Troci, si pjesë e një grupi që falsifikon dokumentet e pronave në Dhërmi.
Rëra u kthye në “molle sherri”
Zona, në të cilën operojnë Sotiri dhe Dritani, është në afërsi të detit Adriatik, në veri të Vlorës, një zonë e njohur si pylli i Zvërnecit.
Të dy qytetarët prej shumë vitesh janë pajisur me leje shfrytëzimi për hapësirën e plazhit, fillimisht nga ish-komuna Qendër në Vlorë dhe pas reformës territoriale, nga Bashkia e Vlorës.
“Gjithmonë ka qenë pronë shtetërore, publike. Asnjëherë private”, – këmbëngul Sotiri, ndërsa shfleton edhe vendimet që ka marrë në të kaluarën.
Certifikata e përdorimit të stacionit të plazhit në vitin 2020 për z. Sotir Tafili
Kontrata e z. Sotir Tafili për shfrytëzimin e plazhit përgjatë vitit 2020
Sipas dokumenteve që disponon Investigative Network Albania, Sotir Tafili është pajisur me leje shfrytëzimi të hapësirës së plazhit në Zvërnec, Vlorë, në vitin 2020.
Është një certifikatë e përdorimit të stacionit të plazhit, e cila i është lëshuar me adresë “Plazhi i Nartës, Vlorë”. Certifikata është e vlefshme deri në datën 15 nëntor 2020, ndërkohë që në fund mban firmën e ish-ministrit, Blendi Klosi.
Pas kësaj certifikate, Tafili është pajisur me leje mjedisore nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ndërsa ka paguar edhe tarifat e vendosura nga Bashkia e Vlorës.
“Asnjëherë s`më thanë se është pronë private”, – thotë ai, teksa ka vijuar ta ushtrojë aktivitetin.
Sipas një dokumenti tjetër, të datës 17 mars 2021, Sotir Tafili ka mësuar se në emrin e tij është lëshuar një procesverbal i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Vlorës për konstatimin e kundërvajtjes.
“Objekt me konstruksion druri, i mbuluar me çati, rreth 230 m2, i ndërtuar prej kohësh”, – thuhet në dokument.
Faksimile e dokumentit të IMT, Vlorë
“Menjëherë pas këtij lajmërimi, që më erdhi nga IMT e Bashkisë së Vlorës, kam mësuar se territorit, ku ushtroja aktivitetin, që është deti, rëra dhe pishat, i kishte dalë pronari. Pronën e pretendonte Kreshnik Tepelena, i cili më kërkoi që t`ia shisja atij aktivitetin”, – thotë Sotir Tafili për INA MEDIA-n.
Në të njëjtën periudhë ka mësuar edhe për gjendjen e pronës së fqinjit të tij, Dritan Koçiraj.
“Na tregoi disa fotokopje të disa kartelave të pasurisë, të shoqëruara me harta, që prona, ku operojmë ne, është private. Nuk e di, kush i ka lëshuar këto dokumente”, – thonë ata.
Duke iu referuar planit të rilevimit të kësaj zone duket qartë se prona e tjetërsuar përfshin edhe një rrip ranishteje, ndërkohë që ligji e përcakton qartë se rëra buzë detit nuk mund të ketë pronar.
Ndryshe nga sa ka ndodhur me këtë pronë, Ligji 8743, i vitit 2001, për “Pronat e paluajtshme të shtetit”, në nenin 3, thotë: “I përkasin shtetit dhe bëjnë pjesë në pronat e paluajtshme publike a) vija bregdetare për të hyrë në tokë, ujërat territoriale dhe brigjet e lumenjve, të përrenjve e rrjedhave të tjera ujore, liqeneve, lagunave dhe rezervuarëve natyrorë ose artificialë, ishujt dhe grumbullimet e rërës, të gurëve dhe dherave në shtretër të lumenjve, të liqeneve e rezervuarëve, ashtu siç është përcaktuar sipas ligjeve në fuqi.”
Ndërkohë, në pikën 2 të këtij neni thuhet se “janë gjithashtu prona të paluajtshme, publike edhe pyjet, kullotat dhe livadhet, si dhe çdo lloj tjetër prone e paluajtshme, e ndërtuar mbi to, që i shërben drejtpërdrejt mbrojtjes dhe zhvillimit të tyre”.
Pra, në nenin 3 përcaktohet se zona ranore është e shtetit, ndërkohë që thotë se “pylli është pronë shtetërore”.
Pika 20 e nenit 4, Ligji 20, i vitit 2020, përcakton qartë se “rërë bregdetare” dhe “plazh” janë sipërfaqet e tokës përgjatë brezit bregdetar dhe që përbëjnë pronë publike, të patjetërsueshme, sipas Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme të shtetit”.
Po, çfarë është prona e patjetërsueshme, publike? Pika 19 e po këtij neni qartëson se “Pronë publike e patjetërsueshme” janë pasuritë publike që nuk mund të kalohen në pronësi të subjekteve të së drejtës private”, nen, i cili është shkelur nga Kadastra e Vlorës në regjistrimin e kësaj pasurie.
Institucionet i hodhën “benzinë zjarrit”
Përplasja për “pronësinë” ka çuar edhe në përplasje të ashpra për shfrytëzimin e këtij plazhi mes Kreshnik Tepelenës dhe Sotir Tafilit e Dritan Koçirajt, madje të shoqëruara me kallëzime dhe padi penale dhe civile.
Në vitin 2021 Tafili dhe Koçiraj aplikuan sërish për shfrytëzimin e plazhit në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe në Bashkinë e Vlorës.
Por, pas aplikimit Sotir Tafilit i vjen një përgjigje nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, ku shkruhet: “Lidhur me aplikimin tuaj nr. 60a45157002df për Stacion Plazhi nr. VL-41, ju njoftojmë se: Aplikimi juaj është refuzuar! Aplikimi juaj është refuzuar, pasi parcela është pronë private”.
INA i kërkoi informacion Bashkisë së Vlorës, duke e pyetur për procedurat që duhet të ndjekin qytetarët për pajisjen me leje shfrytëzimi të plazheve për vitin 2021.
“Bashkia Vlorë nuk është institucioni kompetent që mund t’ju përgjigjet, pasi që prej majit të vitit 2022 menaxhimi i hapësirave publike – plazh – kryhet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit së bashku me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit”, – thuhet në përgjigjen e Bashkisë së Vlorës.
Më tej, pyetjes se, a quhet rëra dhe pylli pronë publike, kjo bashki i përgjigjet: “Prona publike quhen të gjitha pronat, të cilat gëzojnë statusin juridik – shtet – dhe që ndodhen në pronësi ose në administrim të një organi të caktuar, shtetëror”. Por, pa specifikuar, nëse rëra e bregdetit Adriatik është apo jo pronë publike.
INA kontaktoi edhe me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, e cila thotë se, në zbatim të VKM-së me nr. 1172, të datës 24.12.2020 “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit, i ndryshuar…”, aplikimi për stacion plazhi bëhet në e-albania.
Sipas saj, Agjencia Kombëtare e Bregdetit bën miratimin e stacioneve.
“Nga verifikimet e AKB-së rezulton se (GTSHA), si autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e aplikimeve për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, ka dërguar pranë AKB-së miratimin për subjektin Dritan Koçiraj, parcela VL-29, për një periudhë 1-vjeçare. Lidhur me subjektet Sotir Tafili dhe Kreshnik Tepelena, AKB nuk ka informacion për sa i përket aplikimit të tyre, pasi nuk ka marrë miratim nga (GTSHA) për të vazhduar me procedurat e mëtejshme për nënshkrimin e kontratës”, – thuhet në përgjigje.
Ndërkohë, Tafili thotë se ka shkuar disa herë pranë Bashkisë së Vlorës për të marrë faturën, por i thonë se ka aplikuar edhe Kreshnik Tepelena, që ka pronë.
“Duhet të kesh foto, që të aplikosh. Ai ka përdorur fotot e lokalit tim me emrin e tij dhe ka aplikuar që ta marrë këtë stacion plazhi me gjakun tim. Tani, unë si mund ta quaj këtë?! Grabitje, kërcënim, që ti nesër s’do jesh?!”, – pohon Sotiri, ndërsa thotë se edhe për këtë problematikë ka pasur dijeni edhe Bashkia e Vlorës, pasi “prona e Tepelenës shtrihet në pjesën ranore”.
Pavarësisht situatës konfliktuale, as Kadastra, as Bashkia e Vlorës dhe as Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ndërhynë që ta shuanin këtë përplasje. Me veprimet dhe mosveprimet ato i hodhën “benzinë zjarrit”, duke e agravuar situatën.
“Lufta e shezlonëve”, policia numëron kallëzimet dhe përplasjet
Verën e vitit 2021 Tafili dhe Koçiraj, nga qershori 2021 e deri në fund të sezonit, e kaluan mes përplasjesh të forta me “pronarët” e rërës.
“Kanë përdorur çdo mjet që të na largojnë që këtej”, – thonë njëzëri Koçiraj dhe Tafili, teksa pohojnë se janë përplasur edhe fizikisht me Kreshnik Tepelenën, çështje këto që kanë shkuar në dyert e Prokurorisë dhe Policisë së Vlorës.
Referuar përgjigjes zyrtare për Investigative Network Albania, duket qartë se Policia e Vlorës vetëm sa ka numëruar ngjarjet kriminale për “shezlonët”.
“Në përgjigje të kërkesës suaj për informacion, bëjmë me dije se Policia e Shtetit i ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë, për disa raste në këtë zonë”, – thotë policia.
Sipas saj, më 17 qershor 2021 është proceduar penalisht shtetasi Kreshnik Tepelena për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumente për përfitimin e një sipërfaqeje pylli në Zvërnec.
Ndërkohë, është proceduar Sotir Tafili më 30 qershor 2021 dhe më 6 korrik 2021, “pasi është konstatuar duke zënë hapësirën publike, duke vendosur çadra plazhi pa lejen e organeve kompetente në plazhin e Zvërnecit”.
Të njëjtin procedim e ka pasur edhe Koçiraj, i cili është proceduar në datën 8 dhe 14 korrik “duke zënë hapësirën publike”. Në të gjitha referimet policia thotë se “kanë zënë hapësirën publike” dhe jo “kanë zënë hapësirën private”.
Gjithashtu, policia thotë se në datën 25 korrik 2021, është proceduar penalisht shtetasi Kreshnik Tepelena për veprën penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, pasi ka kryer veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative, duke penguar shtetasin Sotir Tafili që të ushtronte aktivitetin në stacionin e tij të plazhit, si dhe shtetasi Josif Koçiraj për veprën penale “Vetëgjyqësia”, pasi nuk ka lejuar shtetasin Kreshnik Tepelena që të ushtronte aktivitet në stacionin e tij të plazhit.
Por, cili është stacioni i plazhit që ka Kreshnik Tepelena?
Agjencia Kombëtare e Bregdetit sqaron për INA MEDIA-n se “subjekti Tepelena nuk ka marrë miratim”, që do të thotë se Kreshnik Tepelena nuk ka një stacion plazhi të miratuar, duke i bërë nul veprimet e Policisë së Vlorës.
Në listën e procedimeve policia shpeshherë është e paqartë, teksa një herë procedon Kreshnik Tepelenën për falsifikim dokumentesh dhe herë të tjera shfrytëzuesit e plazhit për zaptim të “pronës publike”.
Ndërkohë, INA kërkoi informacion edhe në Prokurorinë e Vlorës, e cila në përgjigje thotë se “janë referuar materiale për veprën penale të “Pushtimit të tokës”, për të cilat janë marrë vendime të mosfillimit të çështjes nga ana e prokurorëve”.
Më tej prokuroria pohon se nga “verifikimi në regjistër nuk rezulton të ketë procedim penal për këto fakte ndaj shtetasit Kreshnik Tepelena, pasi në disa raste ai është kallëzues për veprën penale të “Pushtimit të tokës”. Pra, dy institucionet ligjzbatuese japin përgjigje të ndryshme.
INA MEDIA tentoi që të kontaktonte me Kreshnik Tepelenën, por nuk ishte e mundur. Por, në një prononcim për mediat ai do të deklaronte disa muaj më parë, se “prona ime shkon deri në pjesën ranore”.
Dhe, pas muajsh përplasjesh me institucionet, dy qytetarët janë dorëzuar.
“Nuk mundëm, na proceduan dhe na kërcënuan. Megjithëse pronë publike, shtetërore, na larguan me forcë prej andej. Ia arritën qëllimit”, – përfundojnë Tafili dhe Koçiraj, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
