Gjobë e majme për pesë të huaja në Tiranë, pas një hetimi të pazakontë. Rrëfimi i vajzave që erdhën këtu për një ‘punë tjetër’

Pesë vajza të huaja dënohen me gjobë për ushtrim pr*stitucioni në Tiranë

Gjykata e Tiranës ka dënuar me nga 1 milionë lekë gjobë secilën pesë shtetase të huaja, të akuzuara për ushtrim pr*stitucioni në Shqipëri. Tre prej tyre janë nga Kolumbia, një nga Venezuela dhe një nga Rusia.

Të pandehurat, të moshave 24, 31, 33 dhe 34 vjeç, u gjykuan në mungesë, duke u përfaqësuar nga avokatët e tyre, të cilët pranuan marrëveshjen me prokurorinë për masën e dënimit.

Hetimi ndaj tyre nisi në vitin 2022, pasi autoritetet shqiptare morën informacione nga rrjetet sociale mbi aktivitetin e pr*stitucionit të ushtruar nga shtetase të huaja, kryesisht nga vendet e Europës Lindore dhe Amerikës Latine.

Vajzat qëndronin në banesa të marra me qira në Tiranë për periudha të shkurtra, 1–2 muaj, dhe më pas largoheshin, duke u zëvendësuar nga të tjera, gjë që e vështirësonte dokumentimin e aktivitetit të paligjshëm.

Gjatë hetimeve, të pandehurat deklaruan se kishin mbërritur në Shqipëri përmes agjencive ndërmjetëse, të cilat organizonin udhëtimin dhe akomodimin e tyre. Pagesat për çdo klient varionin nga 200 deri në 1 mijë euro, ndërsa fitimet ndaheshin përgjysmë, duke ia dorëzuar pjesën tjetër një personi rreth 35 vjeç, i cili shkonte tek apartamentet e tyre çdo 7–8 ditë për të mbledhur paratë.

Vajzat thanë gjithashtu se ishin në kontakt të vazhdueshëm përmes Whatsapp-it me një grua që u siguronte akomodimin dhe organizonte takimet me klientët. Të akuzuarat pretenduan se nuk kishin qenë të informuara se pr*stitucioni përbën vepër penale në Shqipëri.

Për të dokumentuar aktivitetin e tyre, hetuesit përdorën një faqe interneti ku reklamoheshin shërbimet s*ksuale të ofruara nga shtetaset e huaja. Oficerët e Policisë Gjyqësore ndërmorën veprime të simuluara, duke u paraqitur si klientë, për të identifikuar vendndodhjen e apartamenteve ku ushtronin aktivitetin dhe për të mbledhur prova për ndjekjen penale.

Nga hetimi u zbuluan lidhjet mes vajzave dhe një rrjeti organizatorësh shqiptarë dhe të huaj, që merreshin me rekrutimin, organizimin e udhëtimit, akomodimin dhe ndërmjetësimin e takimeve kundrejt përfitimeve financiare.