Ardian Ismajli është lojtari më i ri i Torinos. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare mbërriti dje, më 7 korrik, në Torino, ku iu nënshtrua testeve mjekësore në Institutin e Mjekësisë Sportive dhe më pas firmosi kontratën me klubin e ri.
Pas katër sezonesh me fanellën e Empolit, Ismajli transferohet si lojtar i lirë te skuadra Granata, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij në Serie A.
Torino e konfirmoi afrimin e mbrojtësit të lindur në vitin 1996 përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e prezantoi me simbolin e shqiponjës dykrenare, duke nderuar kështu origjinën e tij shqiptare.
Ky transferim pritet të forcojë më tej repartin defensiv të Torinos për sezonin e ri, ndërsa Ismajli do të ketë mundësinë të tregojë edhe një herë vlerat e tij në elitën e futbollit italian.
Më poshtë është postimi i klubit në kanalet e tyre të mediave sociale.