Ish-drejtori i përgjithshëm i Top Channel, Ben Blushi, ka qenë së fundmi i ftuar në emisionin e Arbana Osmanit në YouTube, “Mirëmbrëma Yje”, ku ka folur mes të tjerash edhe për marrëdhëniet në punë dhe realitetin e njohur televiziv, Big Brother VIP.
Moderatorja Osmani, një figurë kyçe e “Big Brother VIP Albania”, shpesh ka qenë në qendër të vëmendjes për marrëdhënien e saj profesionale me Blushin, sidomos për rolin e saj si prezantuese kryesore.
Gjatë intervistës, Blushi zbuloi një prapaskenë rreth edicionit të “Big Brother”, duke konfirmuar se ajo e kishte mbështetjen e tij. “Sigurisht ty. Je më e mira për këtë format. Më vjen keq që nuk e prezanton ‘Big’-un. Ata donin Ledionin, por unë nuk pranova. Vura veton për ty, dhe besoj se kam bërë gjënë e duhur,” tha ai, duke theksuar rolin vendimtar të tij në emërimin e saj si moderatore.
Megjithatë, dialogu mori kthesë, teksa Blushi i tha troç Osmanit se ajo ka qenë pjesë e atyre që kanë krijuar një imazh negativ dhe agresiv të tij. Blushi u shpreh se njerëzit kanë frikë të punojnë me të, duke shtuar:
“Nga miti që përhapni të gjithë ju, që unë jam një njeri shumë i egër por unë nuk jam ashtu. Por ju keni hapur një mit, edhe ti ke shërbyer për këtë punë, shpesh, megjithëse ke qenë një ndër të favorizuarat e mia, ju thoni jam shumë i keq, po hajde…”.
Moderatorja e ndërpreu duke thënë: “Unë kam thënë që je arrogant.” Blushi reagoi me habi: “Arrogant? Jam arrogant?”
Në këtë moment, Osmani tregoi librin e tij përballë ekranit dhe deklaroi: “Lexoni këtë libër dhe pastaj do më thoni është apo jo arrogant. Ky është një nga librat më arrogantë të shkruar në shqip.”
Blushi iu përgjigj: “Po më bën reklamë negative?”, ndërsa Osmani qeshi e vënë në siklet.
Ky shkëmbim fjalësh, i papritur në tonalitet, u bë menjëherë një nga momentet më të komentuara të intervistës