Një mesazh i dhimbshëm dhe thellësisht prekës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Mbesa e 62-vjeçarit, i cili humbi jetën mbrëmjen e djeshme në aksin Tapizë–Fushë Krujë, ka vendosur të thyejë heshtjen e zisë për një mision më të madh: ndërgjegjësimin.
Gjyshi i saj humbi jetën pasi u përplas nga një automjet që drejtohej nga një 19-vjeçar, i cili sipas dëshmive të mbërritura në redaksinë tonë po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara. Familjarët e viktimës nuk kërkojnë zhurmë, as sensacion. Ata kërkojnë që kjo humbje të mos mbetet thjesht një shifër e radhës në kronikën e zezë, por një thirrje ndërgjegjësuese për çdo të ri që ulet pas timonit.
“Një sekondë pakujdesie shkatërron familje!” Në mesazhin e saj, mbesa e të ndjerit e përshkruan gjyshin si shtyllën e familjes dhe thekson se asnjë ndjesë apo proces gjyqësor nuk mund t’ua kthejë më njeriun e dashur.
“Ju lutem, mos e trajtoni jetën si lojë. Vozitni me kujdes, respektoni rregullat dhe mendoni se në rrugë ka prindër, gjyshër dhe fëmijë që dikush i pret në shtëpi,” shkruan ajo, duke e mbyllur mesazhin me fjalët që prekin çdo zemër:
“Sot ishte gjyshi im. Nesër mund të jetë dikush tjetër.”
Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 18:45, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar nga Policia për veprime të mëtejshme procedurale. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, por dhimbja e lënë pas për familjen është e papërshkrueshme.
JOQ Albania, në respekt të plotë të kësaj dhimbjeje, e publikon këtë mesazh si një apel për jetën. Sepse pas çdo aksidenti ka një familje që thyhet dhe pas çdo shpejtësie të pakontrolluar fshihet një tragjedi që nuk kthehet dot pas.
Të rinj, udhëtoni me kujdes! Jeta nuk ka “replay”!