Një incident që mund të kishte përfunduar në tragjedi është regjistruar në qendër të Tiranës, pranë sheshit “Skënderbej”, ku një automjet tip “Toyota Verso” pa targa hyri me shpejtësi në zonën pedonale duke thyer kangjellat mbrojtëse dhe duke rrezikuar jetën e dhjetëra qytetarëve dhe turistëve.
Drejtuesi i mjetit, Viktor Ndoka nga Lezha, i cili prej rreth 10 vitesh jetonte në Angli, lëvizi me shpejtësi përgjatë bulevardit “Zogu i I” përpara se të hynte në sheshin kryesor të kryeqytetit. Skena shkaktoi panik mes kalimtarëve, ndërsa automjeti përfundoi i përplasur pranë gurëve dekorativë afër Muzeut Kombëtar, aty ku për fat ndaloi edhe “aventura urbane” e shoferit.
Ndërhyrja e dy efektivëve heronj të Policisë Bashkiake, Arkid Rizvani dhe Rigert Kasa, shmangu një ngjarje me pasoja të rënda. Sipas burimeve hetimore, shoferi tentonte të vazhdonte lëvizjen drejt pjesës së brendshme të sheshit, ku ndodheshin grupe turistësh dhe qytetarësh.
Në një skenë që më shumë ngjante me film aksion me buxhet të ulët sesa me realitetin e Tiranës, efektivi Rigert Kasa arriti t’i merrte çelësin nga timoni dhe të aktivizonte frenën e dorës, duke neutralizuar mjetin. Pas ndalimit, Viktor Ndoka ka deklaruar me tone të larta se po shkonte drejt Ambasadës Amerikane për të denoncuar kryetarin e Bashkisë Lezhë, një shpjegim që nuk i bindi as kalimtarët dhe as uniformat blu.
Pas shoqërimit në Komisariatin Nr.3, për rastin u interesua edhe sektori antiterror, ndërsa Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal nr.6342 për veprat “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtim i punonjësit që kryen detyrën shtetërore”. Prokuroria kërkoi masën “arrest në burg” për 2 muaj, por Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për 45 ditë dhe urdhëroi kryerjen e ekspertizës psikologjike për të arrestuarin. Ngjarja riktheu edhe një herë debatin mbi sigurinë në zonat pedonale të kryeqytetit, ku mjafton një shofer pa targa, pa kontroll dhe me “mision personal” për ta kthyer sheshin kryesor të Tiranës në pistë improvizimi automobilistik.
