Një veprim që shumë qytetarë e bëjnë automatikisht pas tërheqjes së parave në bankomat mund të kthehet në një rrezik serioz për sigurinë financiare.

Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se printimi i faturës së transaksionit mund të ekspozojë të dhëna personale dhe bankare që mund të përdoren nga mashtruesit.

Sipas specialistëve, faturat e bankomatëve përmbajnë informacione të rëndësishme si katër shifrat e fundit të kartës, ora e transaksionit, shuma e tërhequr dhe ndonjëherë edhe gjendja e llogarisë bankare. Nëse kjo faturë hidhet në mënyrë të pakujdesshme, ajo mund të përfundojë në duart e personave keqbërës.

Ekspertët theksojnë se mashtruesit mund t’i përdorin këto të dhëna për tentativa mashtrimi, vjedhje identiteti apo për të krijuar skema të sofistikuara. Edhe pse një faturë e vetme nuk mjafton për të hyrë në një llogari bankare, kombinimi i informacionit me të dhëna të tjera mund të rrisë rrezikun e sulmeve financiare.

Për këtë arsye, rekomandohet që përdoruesit të zgjedhin opsionin “pa printim fature” ose të përdorin versionet dixhitale që shumë banka ofrojnë përmes aplikacioneve të tyre mobile. Në rast se fatura merret, ajo duhet të ruhet me kujdes ose të shkatërrohet përpara se të hidhet.

Specialistët kujtojnë gjithashtu rëndësinë e kontrollit periodik të llogarive bankare dhe aktivizimit të njoftimeve në telefon për çdo transaksion, si një mënyrë shtesë për të mbrojtur financat personale.