Sara Hoxha ka qenë së fundmi e ftuar në një intervistë për X Media, ku ka folur hapur për jetën e saj personale dhe raportin me vajzën e saj, Poem.

Gjatë bisedës, ajo u pyet se cila ishte pyetja më e vështirë që e vogla i kishte bërë deri më tani, duke ndarë një moment mjaft delikat dhe emocional për të si nënë.

Sara tregoi se pyetja më e vështirë e vajzës kishte lidhje pikërisht me ndarjen e saj nga reperi i njohur, Ledri Vula. “Një pyetje shumë e vështirë që Poi më bëri para pak kohësh është se pse jam ndarë unë dhe Ledri,” ka rrëfyer ajo gjatë intervistës.

Më tej, ajo shpjegoi se zgjodhi t’i përgjigjej me sinqeritet dhe me një gjuhë të thjeshtë që një fëmijë mund ta kuptojë.

Ajo i kishte thënë vajzës se marrëdhënia nuk po funksiononte dhe se prindërit nuk po merreshin vesh më me njëri-tjetrin.

Megjithatë, fëmija kishte këmbëngulur me një tjetër pyetje plot shpresë: “Po ju mund ta rregulloni?”.

Përgjigjja e Sarës ishte e prerë, por e mbushur me kujdesin e nevojshëm për ta bërë vajzën të ndihej e sigurt.

Ajo i shpjegoi se kishin tentuar ta rregullonin raportin, por nuk kishte funksionuar, duke theksuar se ky ishte vendimi më i mirë për të gjithë, përfshirë vetë vajzën, atë dhe Ledrin.

Në përfundim të kësaj teme, Sara vuri theksin te rëndësia e komunikimit të hapur me fëmijët në raste të tilla.

Ajo u shpreh se më e rëndësishmja ishte që vajza e kuptoi situatën. Sipas saj, sa më qartë t’i shpjegohet një fëmije për ta perceptuar dhe pranuar realitetin, aq më e shëndetshme është për të, duke shmangur lënien e pikëpyetjeve në mendje që mund ta rëndojnë psikologjikisht apo ta lënë pa gjumë.