Një prej enigmave më të njohura gjeologjike të Atlantikut Verior mund të jetë më pranë shpjegimit shkencor. Sipas një studimi të ri të publikuar nga studiues të Institutit Carnegie për Shkencë dhe Universitetit të Yale-it, është identifikuar një strukturë masive shkëmbore nën Bermuda, e cila mund të shpjegojë pse ky grup ishujsh ka mbetur mbi sipërfaqe për dhjetëra miliona vite, pavarësisht se aktiviteti vullkanik është shuar prej rreth 30 milionë vitesh.

Një “platformë” shkëmbore nën oqean

Sipas të dhënave të studimit, nën Bermuda ndodhet një strukturë shkëmbore me trashësi rreth 19 kilometra. Kjo formacion, i krijuar pas episodeve të fundit vullkanike 30–35 milionë vite më parë, mendohet se është formuar kur magma nga thellësitë e Tokës është ngjitur, është përhapur nën koren oqeanike dhe më pas është ftohur e ngurtësuar.

Studiuesit theksojnë se kjo shtresë shkëmbore është më e lehtë se materiali përreth dhe për këtë arsye funksionon si një “platformë notuese” natyrore, duke mbajtur të ngritur strukturën e ishullit.

Metodologjia: të dhëna sizmike 20-vjeçare

Zbulimi nuk është bazuar në shpime të reja, por në analizimin e më shumë se 20 viteve të të dhënave sizmike të regjistruara nga dridhjet natyrore të tërmeteve.

Duke studiuar mënyrën se si valët sizmike ndryshojnë shpejtësi në shtresa të ndryshme të Tokës, ekipi shkencor krijoi një hartë të detajuar të strukturës nëntokësore deri në mbi 40 kilometra thellësi.

Ndikimi në teoritë për Trekëndëshin e Bermudës

Studimi hap gjithashtu diskutime mbi një tjetër fenomen të njohur popullor: të ashtuquajturin “Trekëndëshi i Bermudës”. Studiuesit theksojnë se rajoni shfaq disa anomali natyrore gravitacionale dhe magnetike.

Në disa zona, graviteti është pak më i ulët për shkak të shkëmbinjve më të lehtë nëntokësorë, ndërsa praninë e mineraleve të pasura me hekur dhe titan mund të ndikojë në fushat magnetike lokale, duke krijuar devijime në busulla dhe instrumente navigimi.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se këto fenomene janë plotësisht natyrore dhe nuk përbëjnë rrezik apo shpjegim për zhdukje misterioze.

Një zonë ende e pa kuptuar plotësisht

Studiuesi William Frazer u shpreh se Bermuda mbetet një nga zonat më interesante për studime gjeologjike, pasi shumë prej karakteristikave të saj nuk përputhen plotësisht me modelet klasike të formimit të ishujve oqeanikë.

“Ky zbulim sugjeron se në mantelin e Tokës ekzistojnë procese që ende nuk i kuptojmë plotësisht,” tha ai.