Përdorimi në masë i medikamenteve të reja kundër obezitetit, të njohura gjerësisht si terapia GLP-1 ku përfshihen edhe emrat më të lakuar të momentit si Ozempic apo Wegovy, ka sjellë një revolucion të vërtetë në rënien e shpejtë nga pesha, por paralelisht po shoqërohet me një alarm të madh mjekësor.

Ekspertët dhe shkencëtarët më të njohur në botë po ngrenë me urgjencë shqetësimin se pas efekteve të mrekullueshme të dobësimit fshihet një rrezik serioz që lidhet direkt me kequshqyerjen dhe dëmtimin e rëndë të organizmit të pacientëve.

Gjatë forumit të fundit shkencor të organizuar nga Shoqata Amerikane për Ushqyerjen, mjekët specialistë kanë zbuluar se humbja e shpejtë e peshës përmes këtyre hapave po krijon një gropë të madhe ushqimore.

Sipas panelit të ekspertëve, ku bëjnë pjesë mjekë të njohur si Dr. Jaime Almandoz dhe Dr. Jamy Ard, problemet kryesore që po hasen masivisht nëpër klinika nuk kanë të bëjnë thjesht me humbjen e dhjamit, por me faktin se trupi i pacientëve po humb në mënyrë drastike masën muskulore dhe po pëson dëmtime të pariparueshme në strukturën kockore.

Ky fenomen ndodh sepse këto medikamente ulin në mënyrë agresive oreksin dhe japin ndjesinë e ngopjes artificiale, duke bërë që njerëzit të konsumojnë sasi ekstremisht të pakta ushqimi.

Nëse ky proces nuk ndiqet në mënyrë strikte nga mjeku, organizmi përfundon në një gjendje kequshqyerjeje të thellë, duke u privuar nga vitaminat dhe mineralet bazë që mbajnë në punë metabolizmin.

Për shkak të kësaj situate kritike, katër nga organizatat më të mëdha të mjekësisë dhe ushqimit në Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një udhëzues të përbashkët urgjent.

Në thirrjen e tyre të prerë, mjekët theksojnë se këto ilaçe nuk duhen marrë kurrë kokë më vete apo si një zgjidhje magjike pa u shoqëruar me një plan të rreptë ushqimor dhe aktivitet fizik të programuar posaçërisht për të mbrojtur muskujt.