Janë kapur në Dubai dhe janë janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit: Kristo Qirici, Shkelzen Kraja, Ilir Lazri, Aleks Pepaj dhe Merxhan Celiku.
Operacion ndërkombëtar në Dubai, arrestohen 5 shqiptarë të shpallur në kërkim nga SPAK, pritet ekstradimi në Shqipëri
Pesë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Dubai me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, të zhvilluar nga Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet homologe në Abu Dhabi.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit janë Kristo Qirici, 44 vjeç, Shkëlzen Kraja, 44 vjeç, Ilir Lazri, 30 vjeç, Aleks Pepaj, 38 vjeç dhe Merxhan Celiku, 34 vjeç.
Katër prej tyre, Kristo Qirici, Shkëlzen Kraja, Ilir Lazri dhe Aleks Pepaj, dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të SPAK.
Ndërsa Merxhan Celiku dyshohet për përfshirje në veprën penale të mashtrimit kompjuterik.
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se operacioni është rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe partnerëve ndërkombëtarë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Po ashtu, vijon bashkëpunimi për verifikimin e një shtetasi tjetër shqiptar që ndodhet në Dubai, i cili dyshohet se përdor dokumente të falsifikuara.
Interpol Tirana po punon për përfundimin e procedurave ligjore për ekstradimin e pesë të arrestuarve drejt Shqipërisë.
