Preshevë, 26 maj 2026 – Dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, pritet të zhvillojnë sot një vizitë zyrtare në Preshevë, ku do të takohen me drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Vizita vjen në një moment kur çështja e të drejtave të shqiptarëve në jug të Serbisë ka marrë vëmendje të shtuar në Washington. Në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve miratoi një projektligj të iniciuar nga kongresisti Keith Self, i cili kërkon nga Departamenti amerikan i Shtetit hartimin e një raporti të detajuar mbi pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Projektligji trajton disa nga shqetësimet kryesore të komunitetit shqiptar, përfshirë pasivizimin e adresave, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Këto problematika janë evidentuar edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi vizitën e kongresmenëve amerikanë si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Një ditë më parë, delegacioni amerikan zhvilloi takime në Beograd me sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq. Sipas autoriteteve serbe, në takim u diskutua për marrëdhëniet Serbi-SHBA, situatën në rajon dhe pozitën e komunitetit serb në Kosovë.

Ndërkohë, një takim i planifikuar me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, u anulua.

Më herët, më 24 maj, kongresmenët amerikanë vizituan edhe Sarajevë, ku riafirmuan mbështetjen për Marrëveshjen e Dejtonit dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës. Vizita e tyre në Ballkan pritet të vijojë edhe në Kosovë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për diskriminim dhe mungesë integrimi institucional, ndërsa zyrtarët e Kosovës kanë kërkuar respektimin e të drejtave të tyre.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, në Serbi jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë, duke përbërë pakicën e katërt më të madhe në vend.