Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përfundimit të protestës së mbajtur pasditen e kësaj të hëne në kryeqytet kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, duke iu përgjigjur kritikëve që kërkojnë anulimin e projektit.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social “X”, kreu i qeverisë ka ironizuar kërkesat për ndalimin e investimit, duke theksuar se nuk mund të flitet për anulimin e një projekti, që sipas tij, ende nuk është paraqitur përfundimisht.
Gjatë këtij reagimi Rama ka shtuar se projekti është ende në fazë hartimi nga disa prej studiove më prestigjoze ndërkombëtare të arkitekturës dhe se prezantim i tij publik do të behet sapo të finalizohet, si pjesë e investimeve që ai i cilëson strategjike për vendin.
“Së shpejti, kur projekti të jetë gati, patjetër do ta prezantojmë publikisht, siç bëjmë gjithnjë me projektet e mëdha të arkitektëve ndërkombëtarë, aq më tepër për një investim historik si ky. Kështu që më vjen keq, po s’kemi projekt për të anuluar”, shkruan Rama ndër të tjera.
Reagimi i plotë i Edi Ramës:
Të anulloj projektin? Për këtë i thirrët në protestë njerëzit e mirë që ju erdhën pas edhe sot?
Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anullojmë! Po si i bëhet që ju s’keni çfarë sillni sepse nuk ka projekt?
E dini pse nuk ka projekt?
Sepse projekti po punohet nga pesë studio ndër më prestigjozet në botë! Klikoni Kengo Kuma (Japoni) Bjarke Ingels (Danimarkë) Jean Nouvel (Francë) Emre Arolat (Turqi) K-Studio (Greqi) dhe njihuni me autorët e projektit arkitektonik.
Së shpejti, kur projekti të jetë gati, patjetër do ta prezantojmë publikisht, siç bëjmë gjithnjë me projektet e mëdha të arkitektëve ndërkombëtarë, aq më tepër për një investim historik si ky.
Kështu që më vjen keq, po s’kemi projekt për të anulluar.
