TIRANË – Janë zbardhur dokumentet zyrtare të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, të cilat hedhin dritë mbi investitorët e vërtetë të projektit gjigant turistik në zonën e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit. Ndonëse fillimisht u raportua për shifra më të ulëta, të dhënat e fundit konfirmojnë se vlera totale e këtij megaprojekti kap shifrën e rreth 4 miliardë dollarëve dhe pas tij qëndron një nga grupet më të fuqishme ekonomike në Katar.
Sipas ekstraktit zyrtar, kompania e regjistruar në Shqipëri për zbatimin e këtij plani quhet „Albania Land Development“. Ajo kontrollohet në mënyrë indirekte, me nga 50% të aksioneve secili, nga dy shtetas të Katarit: Mohamad Moataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.
Rrjeti i kompanive dhe lidhja me „Power International Holding“ Dokumentet tregojnë se kontrolli mbi kompaninë shqiptare realizohet përmes një zinxhiri shoqërish të regjistruara në Doha të Katarit. Ndër to përfshihen: Assets International LLC, Assets Real Estate Development WLL, Assets Real Estate Ventures LLC, Sazan Land Holding LLC dhe Sazan Real Estate Development LLC.
Në krye të kësaj strukture pronësie qëndron „Power International Holding“ (PIH). Ky është një nga konglomeratet më të mëdha private të biznesit në Gjirin Persik, me një portofol të shtrirë në sektorët e ndërtimit, pasurive të paluajtshme, turizmit të luksit, energjisë dhe shërbimeve financiare.
Investimi më i madh turistik në Shqipëri Projekti i përbashkët për Sazanit dhe Zvërnecit konsiderohet zyrtarisht si investimi më i madh në historinë e turizmit shqiptar. Sipas deklaratave të autoriteteve shtetërore, ky plan synon transformimin radikal të këtyre zonave bregdetare në destinacione të luksit të lartë global, ku parashikohet ndërtimi i resorteve të integruara, marinave për jahte, hoteleve me pesë yje dhe një infrastrukture moderne ekologjike.
