‘Hundën ma shkatërruan me leva hekuri’! Rama kujton dhunën e vitit ’97: Kam ende probleme me frymëmarrjen

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka rikujtuar sot dhunën që pësoi gjatë trazirave të vitit 1997, duke deklaruar se pasojat e asaj ngjarjeje i ndjen ende sot.

Gjatë podcastit “Flasim”, Rama u shpreh se, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij, vazhdon të ketë probleme me frymëmarrjen, çështje për të cilën ka konsultuar edhe mjekë specialistë.

“Unë jam i parregullueshëm. Kam një problem që nuk vjen nga natyra, por nga dora e njeriut. Ma kanë marrë njëherë hundën në dorë si skulptorë dhe ma kanë bërë copë-copë. Kam probleme me frymëmarrjen,” – u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se plagët fizike të asaj periudhe i konsideron si “shenja të kohës”, duke theksuar se nuk ka tentuar t’i korrigjojë ato për arsye estetike.

“Mua ma mori në dorë hundën një skulptor me leva hekuri. Janë patina e kohës dhe nuk është mirë të zëvendësosh gjithçka e të bësh sikur janë të reja,” – deklaroi ai.