Nga paranoja e Luftës së Ftohtë te bumi i ri i bunkerëve në Europë

Sot, bota po përjeton një rikthim të frikshëm të ankthit të Luftës së Ftohtë. Lufta në Ukrainë dhe rreziku i vazhdueshëm i destabilizimit të Europës kanë ndezur një bum të jashtëzakonshëm kërkesash për bunkerë privatë në Gjermani, çmimi i të cilëve varion nga 30,000 deri në 50,000 euro për modelet bazë familjare. Me një rritje prej 50% të porosive që nga fillimi i vitit, qytetarët dhe kompanitë gjermane po ndërtojnë strehime nëntokësore me mure të trashë dhe filtra ajri ABC (kundër rrezatimit dhe gazrave). Ky nxitim privat vjen sepse njerëzit e kanë kuptuar se shteti nuk i mbron dot. Gjermania e sotme ka një mungesë dramatike të bunkerëve publikë të trashëguar nga e kaluara.

Ja si dallon historia e mbrojtjes nëntokësore mes Gjermanisë së ndarë dhe Shqipërisë komuniste. Çfarë tregojnë shifrat…

* Gjermania e sotme në krizë: Nëse sot do të shpërtente një luftë, Gjermania ka vetëm 579 bunkerë publikë funksionalë. Kjo do të thotë se më pak se 0.5% e popullsisë gjermane mund të strehohej nga shteti. Prandaj, sot 10% e ndërtimeve të reja private po bëhen me bunkerë që në themel.

* Gjermania Perëndimore (RFGJ) në Luftën e Ftohtë: Gjatë ndarjes, Gjermania Perëndimore u fokusua te bunkerët e mëdhenj kolektivë dhe në përshtatjen e bodrumeve të pallateve me teknologji të lartë. Pavarësisht investimeve miliardere, këta bunkerë publikë mund të strehonin vetëm 8% të popullsisë (rreth 4.8 milionë njerëz). Ishin të pajisur me spitale nëntokësore, shtretër dhe rezervuarë për mbijetesë afatgjatë.

* Gjermania Lindore Komuniste (RDGJ):
Sektori komunist gjerman kishte një bilanc akoma më të dobët për qytetarët e thjeshtë. Bunkerët e saj mbulonin më pak se 5% të popullsisë, kryesisht përmes stacioneve të metrosë në Berlinin Lindor dhe bodrumeve të thjeshta në pallatet e parafabrikuara (Plattenbauten).

* Bunkerët sekretë për elitën komuniste: Ndryshe nga populli që lihej pas dore, udhëheqja e Gjermanisë Lindore ndërtoi komplekse gjigante luksoze nëntokësore për veten. I famshëm është “Bunkeri i Honecker-it” (Objekti 17/5001), një kështjellë atomike trekatëshe nën tokë, e mbrojtur nga policia sekrete Stasi, ku 400 zyrtarë të lartë mund të jetonin të izoluar për dy javë.

Kontrasti me Shqipërinë

Ndërsa Gjermania e la popullin zbuluar, Shqipëria komuniste ndoqi një rrugë krejtësisht ekstreme dhe ndër më të rrallat
në botë:

* Vendstrehimet nëpër pallate: Regjimi i Enver Hoxhës detyroi që çdo bllok banimi apo pallat i ri të kishte vendstrehimin e vet nëntokësor në bodrum ose në oborr. Këto dhoma betoni me dyer të rënda hekuri kishin sisteme ventilimi që rrotulloheshin me dorë. Ato ishin të projektuara për qëndrim afatshkurtër, por ndryshe nga Gjermania, ato mbulonin një përqindje masive të popullsisë civile nëpër qytete (në zonat urbane, pothuajse 100% e banorëve të pallateve kishin një vendstrehim të përcaktuar ku vraponin kur binte sirena e stërvitjes).

* Bunkerët “kërpudha” të këmbësorisë: Ky ishte elementi që ndryshoi përgjithmonë peizazhin shqiptar. Përveç vendstrehimeve të pallateve për civilët, Shqipëria ndërtoi mijëra bunkerë betoni në fusha, male e plazhe. Këta nuk ishin strehë për të jetuar, por pozicione lufte për këmbësorinë. Ishin struktura të ngushta ku ushtari apo qytetari i armatosur duhej të qëndronte në këmbë për të qëlluar mbi armikun. Totali i saktë i gjithë bunkerëve është i paqartë, por shifrat nisin nga të paktën 170 mijë si më e besueshmja deri në 750 mijë, maksimalja që flitet. Besohet se për ndërtimin e tyre janë shpenzuar miliarda dollarë.

Paradoksi i madh i tranzicionit

Kjo histori mbyllet me një paradoks të jashtëzakonshëm kohor dhe ekonomik.
Gjatë 35 viteve të fundit, Shqipëria shpërdoroi një energji dhe pasuri të jashtëzakonshme për procesin e “debunkerizimit” duke shkulur, shkatërruar apo braktisur rrjetin e saj të bunkerëve dhe vendstrehimeve nëpër pallate, si simbole të një paranoje të shkuar.
Mirëpo sot, historia po bën një kthesë ironike. Në Gjermaninë e pasur, frika nga një konflikt i mundshëm global po i detyron qytetarët që të shpenzojnë nga xhepi i tyre shuma të konsiderueshme, të cilat fillojnë nga kostoja e një makine të mirë e shkojnë deri në vlerën e një apartamenti të tërë për modelet më komplekse, vetëm për të ndërtuar një vendstrehim të sigurt nëntokësor. Ajo që Shqipëria e shekullit të kaluar e ndërtoi me dhunë e sakrificë ekonomike dhe më pas e flaku si të pavlefshme, sot po kthehet në mallin më të kërkuar dhe më të shtrenjtë të sigurisë në zemër të Europës.