Protesta para Kryeministrisë, murgesha: Veriu është lënë pas, po ra një sëmundje na rrëzon përtokë

Gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, një murgeshë katolike mori fjalën duke përcjellë një mesazh të fortë mbi gjendjen sociale dhe shëndetësore në zonat veriore të vendit.

Ajo u shpreh se kishte dalë në protestë si qytetare dhe jo për të adresuar drejtpërdrejt figura politike, por për të ngritur shqetësime që, sipas saj, prekin qytetarët në përgjithësi dhe veriun e Shqipërisë në veçanti.

“Veriu i Shqipërisë krenohet me disa investime të pakta, si Rruga e Kombit dhe disa fshatra turistikë, por kjo është një turp. Nuk mjafton që ne të kënaqemi me kaq në 36 vite”, u shpreh ajo.

Murgesha theksoi gjithashtu gjendjen e vështirë në sistemin shëndetësor në veri, duke deklaruar se mungesa e aksesit dhe kushteve të duhura i lë qytetarët të pambrojtur përballë sëmundjeve.

“Nëse në veri nëse na bie një sëmundje, ne jemi përtokë”, shtoi ajo.