VIDEO – Aksidenti sonte në Durrës, makina ‘fluturoi’ nga Ura e Dajlanit. Një vajzë dyshohet se ka vd*kur

Aksidenti që ndodhi sonte pak para mesnate në Durrës, dyshohet se i ka marrë jetën një vajze. Nga policia nuk ka ende një konfirmim zyrtar.

Në vendngjarje mësohet se një makinë e markës “BMW X5” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar poshtë urës.

Dyshimet janë se në automjet gjendeshin dy persona dhe burime në vendngjarje flasin për vdekjen e një prej tyre, një vajzë. Identiteti nuk është konfirmuar.

Sakaq, nga vendi i shoferit është nxjerrë një person, mashkull. Ai është dërguar në spital në gjendje kritike për jetën.

Raportohet se drejtuesi i mjetit është nxjerrë nga automjeti nga zjarrfikësit dhe është transportuar me ambulancë drejt spitalit në gjendje kritike, por me shenja jete.

Po ashtu dyshohet se nga aksidenti ka mbetur i plagosur edhe roja i biznesit të luleve, i cili ndodhej poshtë urës, pasi automjeti ka rënë pranë ambientit që ai ruante.

Siç duket edhe nga pamjet e “DurrësLajm”, makina është shkatërruar plotësisht, ndërsa forca të shumta policie dhe shërbimet e emergjencës ndodhen në vendngjarje duke kryer veprimet e nevojshme.

Ditët e fundit në Urën e Dajlanit janë kryer punime, ku njëra korsi ka qenë e bllokuar, por mbetet për t’u verifikuar nëse kjo ka ndikuar në aksident.