Stuhia e fuqishme fluturon në ajër një burr/ Video

Momente tronditëse janë regjistruar në distriktin Bareilly, në shtetin Uttar Pradesh të Indisë, ku një burrë u ngrit në ajër nga erërat e fuqishme gjatë një stuhie të fortë që goditi zonën të mërkurën.

Burri, i identifikuar si Nanhe Miyan, ndodhej në fshatin Bamiyana kur era e fortë ngriti pllakën metalike të një hangari, së bashku me të. Sipas dëshmisë së tij nga shtrati i spitalit, ai po përpiqej të mbahej pas një litari për të shmangur rrëzimin, por forca e stuhisë bëri që litari të këputej.

“Isha në një lartësi prej rreth 9 deri në 12 metrash. Nuk e di se ku rashë. U përplasa të paktën 15 metra larg”, rrëfeu ai, duke përshkruar momentet dramatike që përjetoi.

Si pasojë e rënies, Miyan pësoi lëndime të rënda, përfshirë fraktura në krahë dhe këmbë. Ai u transportua menjëherë në një spital lokal, ku mori ndihmën e parë mjekësore.

Një zyrtar lokal, i cili e vizitoi në spital, deklaroi se autoritetet do të ofrojnë mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme për trajtimin e tij.

Ngjarja vjen në një kohë kur shteti i Uttar Pradesh po përballet me fenomene ekstreme të motit, të cilat kanë shkaktuar dhjetëra viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale në disa zona.